Një pasdite me Justina Aliaj

19/12/2014 00:00

Është larguar nga Shqipëria me dhimbje në vitin ’91 dhe është rikthyer në atdhe vetëm 2 apo 3 herë, por ajo është një “vullkan” tepër potent dhe me një personalitet të jashtëzakonshëm. Ajo ka qenë e ftuara e kësaj të premteje në studion e “Pasdite në Top Channel”, për të rrëfyer ndoshta edhe gjëra që i ka mbajtur për një kohë të gjatë përbrenda, dhe bëhet fjalë pikërisht për këngëtaren dhe aktoren e talentuar të skenës shqiptare, Justina Aliaj.

Gjendet në Tiranë prej pak kohësh dhe, siç shprehet vetë Justina, është këtu për arsyen e një oferte të TKOB-së, ku po përgatitet një komedi e Molierit, “Tartufi”, në të cilën i është ofruar një rol dhe ka nisur punën prej një muaji tashmë.

Fëmijëria – Fëmijëria ime në Shkodër është si e të gjithë shkodranëve: fillon këndshëm e me hare, respektohen të gjitha moshat që 2-5 vjeç e me radhë, me lodrat e aktivitetet, si dhe me gjendjen sociale që ishte e dashur dhe e këndshme në Shkodër. Jam lindur në një rrugicë tek “Arra e Madhe” dhe kam mësuar se si prindërit luanin “arrash” me njëri-tjetrin për kënaqësinë tonë dhe të tyren, kam mësuar se si kërkohen petulla derë më derë gjatë Karnavaleve. Kam mësuar dhe mbaj mend shumë mirë me dhimbje, kur çdo të premte në 5 pasdite na iknin nënat… Momentet më të shkëlqyera të jetës sime janë ato të fëmijërisë, kur unë kam mundur të gëzoj shumë.

Muzika dhe aktrimi – Pas shkollës 7-vjeçare më është dhënë e drejta për të studiuar në Liceun Artistik për muzikë. S’kishte si të ndodhte ndryshe, pasi ishte Shkodra që e zgjodhi rrugën time, e zgjodha edhe pse e vogël, pasi ishte një pasion, një zë i brendshëm që më thërriste të dilja në skenë. Interesant është se dikush edhe s’më njihte dhe më nxorrën bursën për teknike nafte në Qytetin Stalin. U çudita, por kur shkova në Komitetin Ekzekutiv, nëna e babai u habitën dhe thanë që ishte gabim. Që e vogël kam zgjedhur teatrin, jam regjistruar në shtëpinë e Pionerit dhe duke luajtur një pjesë lindi nevoja edhe të këndoja. Kujtoj Tonin Dainë, vëllain e Tish Dajisë, i cili vuri në diskutim atëherë “a do dijë të këndojë, sepse i duhet edhe të këndojë”, dhe unë e bëra me sukses. Sekretin e zërit tim e di vetëm i madhi Zot, vetëm atij ia di për falemnderit. Është gjithçka më ka dhënë, dhunti për të ardhur në këtë jetë e për të bërë diçka. Sigurisht që edhe unë jam e kujdesshme, nuk abuzoj. As ujin e ftohtë nuk e pij, madje edhe s’ma ka ënda. 1 talent dhe 10 herë punë. Tjetër gjë është të mos ia dish për falemnderit askujt, ndaj dhe kur e ke një dhunti nuk mundesh ta keqpërdorësh. Edhe në momentet më të errëta, kurrë nuk kam bërë kompromis për të shkatërruar kordat e mia zanore.

Shkodra, qyteti i lindjes – Gjithmonë më ka munguar Shkodra. Nuk mund ta imagjinoj veten pa të. Shkoj, shëtis, çmallem, madje edhe e vetme nëpër rrugicat ku kam lindur. Mezi e kam gjetur madje, sepse nuk e gjeja as rrugën time. Shkoj deri në pusin që e ndanim përgjysmë me Paulin Prekën, aktorin shkodran, me të cilin na ndante një mur. Pusi është i mbyllur tashmë, por sërish ia hedh sytë.

Festivali i 11 dhe rrjedha e ndryshuar e jetës – Mendoj se na kishte ardhur rradha dhe se ishte politike. Ndoshta ne e filluam, pastaj ushtria dhe inxhinierët e naftës… Sigurisht që na është bërë një padrejtësi, pasi në atë kohë ishte shumë e kollajshme të merrje në qafë dikë, t’i bëje keq. Mjafton të bëheshin 3 vetë bashkë dhe të fusnin menjëherë në burg. Ne s’kishim nevojë për këto, por ishte e thjeshtë të thuhej se “ti ke nuanca dhe sjellje të artit të huaj, kjo nuk i shërben vendit tonë”. Problemi im ishte fakti që kisha sjellje moderne, në një kohë që atëherë mund të dënoheshe edhe nëse këndoje një këngë kundër sistemit, ishte herezi. Për arsye që i dinë vetëm ata, unë nuk duhej të kthehesha në skenë, nuk duhej të këndoja dhe pata pasojat e mia.

Ekzistenca e dosjes – Kam qenë thjesht një punëtore, askush nuk më tregoi që ekzistonte një dosje ndaj meje. Por fillova ta nuhasja. Kur shkova punëtore më donin shumë të gjithë, e më ndihmonin që të bëja normën dhe të merrja lekë. Pastaj e solli momenti, pasi krijuan një besim tek unë, aq sa thonin pse të dënohet kjo grua e urtë… Në atë koha linda edhe dy fëmijët. Pastaj i jam drejtuar Sekretarit të Partisë, emrin s’po e përmend sepse dihet kush është, njëfarë zotërie, duke i kërkuar asgjë tjetër veçse dosjen time në duar. Ma dha dhe më ruajti sa e hapa jashtë… Aty njoha shokët dhe shoqet që më donin, më puthnin, më përqafonin, por që kishin shkruar e firmosur kundër meje. Me mua është shumë e thjeshtë të sillesh keq, nuk sillem keq besoj. Ashtu siç nuk do ta bëja unë, mendoja se s’do ta bënte njeri tjetër. Pavarësisht të gjithave, me iu thënë të drejtën, nuk kam ndierë kurrë urrejtje për ta. Ky është shpirti im dhe mjafton që u lumturova që mësova të vërtetën. As nuk e mëshiroj dhe as nuk e fal, por u them “e dini mirë, unë ju kam lexuar të gjithëve”. Personi që më bëri padrejtësinë është gjallë, e kam takuar dhe shpresoj që të mos ta shohë këtë intervistë. Le të flejë sikur nuk e di, të jenë të qetë, por unë i di të gjitha. Nuk ia harroj kurrë atij që më dha dosjen.

Poezia, vlera tjetër – Mundohem të fiksoj momentet e jetës sime. Nuk dua të them që jam poete. Kam shkruar shumë, jo dhe aq, dhe kam menduar t’i botoj. Sot gjithkush ka të drejtë të bëjë gjithçka, jo si më parë. Sido të jesh, nëse Zoti të ka dhënë talent, në këtë hapësirë që shoh e prek në Shqipëri sot, them zor se mund t’i shpëtojë publikut pa e vlerësuar, çmuar apo ushqyer me suksese. Mes të tjerash, dua shumë një poezi që e kam recituar dhe më pëlqen ta recitoj sërish. Kjo është edhe dhurata ime për ju:

Kur unë qaj
Të tjerët më thonë sa bukur këndon
Ah ky zëri im
Mashtruesi zëri im.

Për herë të parë kam guxuar të shkruaj poezi në gjuhën frënge, e më pas e kam përkthyer vetë në shqip. Duke qenë se shqiptarët shquhen për mësimin e gjuhëve të huaja, mund të them se zotëroj anglishten dhe frëngjishten, edhe pak italisht. (Duke komentuar fotot) Në atë me biçikletë jam vetëm 1 vit përpara se të dënohesha, isha 20 vjeçe.

Fotografia e teknologjia – E dashuroj shumë fotografinë dhe kam shumë të tilla. Në fotografi më pëlqen poza në lëvizje, jo qëndrimi statik. Kurrë nuk bëj “selfie”, i kam shumë inat, nuk e di përse. Por më pëlqen t’u bëj foto të tjerëve. Sa i përket teknologjisë, përse më pyet mos burrneshë kaq haptazi (qesh). E kam marr kompjuterin, e kam zbërthyer dhe e kam montuar vetë, por nuk di më shumë se ç’kam mësuar në fillim. Hap e kërkoj çfarë dua, por… Kam vetëm një Facebook, sepse ma ka hapur vajza, ku i përgjigjem të gjithë dashamirësve të mi. Nuk e doja në fakt, por më tha vajza që ia kërkonin asaj për ta pasur unë një të tillë.

Aktrimi dhe kujtimet – E di që më thoni se kam pasur suksese si në aktrim edhe në muzikë, por mos më kërkoni t’i ndaj ato. Gishtat e dorës njësoj dhëmbim të gjitha. Kur dëgjoj muzikë dua të shkoj pas saj dhe më pëlqen të kërcej shumë gjatë këndimit. Teatri është magjia tjetër që më tërheq. Teatri ka atë kërshërinë, interesin në kërkim se si do ta zbërthejë rolin, si do ta bëjë më bukur. Dal në rrugë dhe shoh natyra e karaktere me syrin tim që më duhen për rolin, është një bagazh më shumë për mua. Teatri ka edhe të qënit më pranë publikut në sallë, është më i drejtpërdrejtë, ndryshe nga kinemaja. Megjithatë, më duhet të them se artistit gjithmonë nuk i pëlqen vetja kur e sheh, e vuan shumë. Mund të rrijë gjithë natën pa gjumë, duke menduar çfarë nuk kishte bërë mirë. Por gjithsesi e gjen një rrugë të mesme për të thënë, “e mirë, këtu çka”. Këtë gjë mund ta them te “Rrethi i Kujtesës”, te “Bernand Alba”, e kam dashur shumë edhe pse i vështirë.

Me një karrierë të gjatë ndër vite, me peripeci e sfida të mëdha, por me sukses të jashtëzakonshëm, duke bërë emër e duke qenë figurë e dashur dhe e njohur kudo për publikun shqiptar. Të vështira për t’u bërë gjithë këto, nëse pas suksesit nuk fshihet familja e shenjtë. Mbështetja dhe dashuria e dhënë prej saj, një thesar i paçmueshëm.

Bashkëshorti e fëmijët – Për hir të së vërtetës duhet të them se i kam shkaktuar trazira familjes sime. Isha punëtore në atë kohë dhe më mundonte shumë, madje e shprehja edhe në gjendjen shpirtërore. Por sërish duhet të them se asnjëherë familja nuk më ka dënuar, ka qenë bashkudhëtare e vuajtjeve të mia. Fëmijët sa ishin të vegjël nuk e dinin, kur u rritën e kuptuan. E morën vesh nga të tjerët, pasi unë nuk u thoja që kam kënduar, ka luajtur në teatër, etj. Shqiptarët e duan shumë familjen, nuk e di kam shëtitur gjithkund, por dashurinë që ka nëna dhe babai për fëmijën, apo anëtarët e familjes për njëri-tjetrin, nuk e kam hasur kurrkund.

Brukseli e Nju Jorku – Jam përshtatur shpejt, nuk e kam pasur vështirë fillimin e jetës në Bruksel. Vështirë kam pasur mungesën e artit, doja ta bëja me çdo kusht. Nuk mund të them se ishte racizëm, por sidoqoftë një pengesë është kur del jashtë. Ka vështirësitë e veta. Kam jetuar në Belgjikë e në Amerikë, por kam përshtypjen – ndoshta e kam gabim – që gjithkush thonë “unë jam zot shtëpie këtu” ndaj një të ardhuri. Megjithatë di të them se populli është gjithkund njësoj. Këndova në Amerikë dhe në Belgjikë, më vunë edhe emra të mëdhenj duke më çmuar, por vetëm kaq. Kam kënduar në 7 gjuhë të ndryshme, dhe më “e vështira” ka qenë në gjuhën kineze.

Të qenit larg Shqipërisë – Sigurisht që jam penduar për vitet larg vendit tim. Vite të mundimshme, pasi më ka munguar vendi dhe arti, pavarësisht se kam luajtur një tragjedi të Homerit në frëngjisht dhe anglisht në teatrin “La Mamma” në Nju Jork. Nuk ishte gjithçka për mua, pasi ëndrra ime ishte që gjithçka kam bërë ta bëja për popullin tim. M’u dogj besimi dhe ndaj ktheva shpinën edhe ika. Është llogari e thjeshtë: patën hise për të më dënuar mua, por jo fëmijët e mi, ndaj ika.

Fëmijët artistë – Për fëmijët jam e lumtur dhe shumë madje. Jam me fat dhe i falënderoj që ma kanë shpërblyer. Djali ka mbaruar për violinçelë në Nju Jork, ndërsa vajza në Bruksel për piano, e më pas është diplomuar për aktore në Paris. Vazhdojnë jetën e tyre, ju më kuptoni pse unë kam shumë inat të flas fjalë të bukura. Më pëlqejnë ato, urën e miqësisë dua ta vë me të gjithë njerëzit, por kur vjen puna te realiteti për jetën, s’kam përse ta zbukuroj, sepse gënjej veten në radhë të parë: arti është një rrugë shumë e mundimshme, paska dhimbje të madhe.

Mesazhi i Justina Aliajt për shqiptarët fansa të saj
: Ju falemnderit dhe mendoj se jeta fillon nga një pasion e një dashuri. Ajo më ka ndjekur e do të më ndjekë gjithmonë. Popullit tim, spektatorit tim, njerëzve që më rrethojnë, ashtu si më duan ua kthej mbrapsht 100%…

Top Channel