Rama në Beograd për “Europën e Madhe”

12/11/2014 00:00

NGA BEOGRADI ANDREA STEFANI – Në një mjedis jonormal apo të sëmurë, një dukuri normale nuk mund të mos perceptohet si anormale.

Vetëm kështu mund të shpjegohet se përse një deklarim për Kosovën i Kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, gjatë vizitës në Beograd, është pritur shumë keq nga homologu i tij serb, Vuçiç, madje, është stigmatizuar prej tij si një provokim i palejueshëm. Por vështirë të gjesh në deklaratën e Kryeministrit shqiptar diçka më shumë për Kosovën, sesa i kërkohet diplomacisë serbe nga Europa. Ndaj zemërimi i Vuçiç mund të shpjegohet vetëm me faktin se ai ndodhet i mbërthyer në morsën e një presioni shumë të madh nacionalist nga brenda, dhe një presoni prej Moskës nga jashtë.

U duk sikur Vuçiç shkuli me revoltë kufjet nga veshët sapo Rama deklaroi në lidhje me Kosovën: “Kosova e pavarur është një realitet i pamohueshëm rajonal dhe europian që duhet respektuar. Pavarësia e Kosovës, shtoi ai, e ka bërë Ballkanin më të sigurt dhe çdo perceptim i ri i Serbisë ndaj këtij realiteti, është i mirëpritur prej nesh”. Mjerisht Ballkani mund të ribëhet i pasigurt si në të gjithë të kaluarën nëse Serbia nuk formëson një perceptim dhe një qëndrim të ri për çështjen e Kosovës, gjë që jo vetëm nuk e ka, por duket se nuk do ta ketë edhe për shumë kohë.

Ndërkaq, Kosova nuk mund të mos jetë një test, jo vetëm për politikën e Beogradit, por edhe për aftësinë e shoqërisë serbe për të përqafuar një mendësi europiane lidhur me çështjet e ndërlikuara nacionale. Një rrafsh ku politika e Tiranës zyrtare po shfaqet më e avantazhuar, për shkak të adoptimit të qëndrimeve të reja të pëlqyera edhe nga Perëndimi. Prej kohësh askush nga diplomacia e Tiranës nuk ka prezantuar si aspiratë “Shqipërinë e Madhe”, ndërkohë që aspiratën legjitime të bashkimit të Kosovës me Shqipërinë e kanë trajtuar si pjesë organike të procesit të integrimit të të dy shteteve në Bashkimin Europian. Kjo politikë që e sheh zgjidhjen e problemeve nacionale, që deri dje e kanë zhytur Ballkanin në flakë dhe gjak, tek integrimi europian ka gjetur mbështetjen edhe të shumicës së opinionit në Republikën e Shqipërisë. Ky i fundit nuk vuan nga sindroma të rënda nacionaliste, gjë që e bëri edhe Kryeministrin Rama të deklarojë, po gjatë vizitës në Beograd, në një konferencë me gazetarët shqiptarë, se në rast se Vuçiç do të shprehte pikëpamjet e tij të kundërta për Kosovën në Tiranë, vështirë se ndokush do ta quante një gjë të tillë provokim. Mungesa e dominimit të nacionalizmit ekstrem në publikun e shtetit të Shqipërisë, i shpjeguar me rrethana historike specifike, u duk edhe vitin e kaluar, në rastin kur Sali Berisha u përpoq të përdorte kartën nacionaliste për të fituar një mandat të tretë rresht si Kryeministër. Sepse Berisha pësoi një humbje të thellë, duke humbur edhe pushtetin, edhe mbështetjen e diplomacisë perëndimore.

Ky është një avantazh që Vuçiç dhe krejt politika serbe nuk e gëzon sot. Duke shprehur zhgënjim për deklarimet e Ramës, Kryeministri serb tha se ato ishin për konsum të politikës së brendshme të Tiranës. Në të vërtetë duket se ky është një problem që e ka vetë Vuçiç me opinionin publik serb që shfaqet tejet i karikuar me elektricitet nacionalist, gjë që u provua edhe nga dhuna e shfaqur nga turmat e tifozëve serbë gjatë ndeshjes së futbollit Serbi-Shqipëri në stadiumin e Beogradit. Dhe është kjo ngarkesë e masave serbe me nacionalizëm që e detyron edhe elitën politike serbe t’i konformohet presionit të tyre. Si për paradoks është pikërisht demokracia dhe mekanizmi i saj i votës, që e ka ngjitur nacionalizmin ekstrem në majat e politikës serbe.

Dy fantazmat e nacionalizmit, ajo e “Serbisë së Madhe” që tremb shqiptarët dhe ajo e “Shqipërisë së Madhe” që tmerron serbët, kanë marrë nga një “JO” të madhe nga vizita e Edi Ramës në Beograd. Oferta e Kryeministrit shqiptar ka qenë krejt tjetër, ajo e “Europës së Madhe”.

Qëndrimi i qeverisë shqiptare për sa i përket çështjes së Kosovës, bëhet kështu shumë më i qartë sesa ai i Beogradit. Në fakt, politika e Tiranës ka deklaruar me kohë, përkundrejt edhe përveshjes së buzëve nga nacionalistët, se e sheh zgjidhjen e çështjes së bashkimit kombëtar në kuadrin e integrimit europian. Kjo do të thotë se Tirana nuk ka ambicie për “Shqipërinë e Madhe”, por se e sheh si të vetmen politikë realiste shkrirjen e të gjitha konflikteve të trashëguara nga e kaluara në gjirin e “Europës së Madhe”, duke u integruar të dy vendet në të. Pretendimi serb për rrezikun e “Shqipërisë së Madhe”, siç është konstatuar edhe nga vëzhgues të tjerë të Ballkanit, është më shumë një përpjekje për të ndërtuar një alibi që do të balanconte deri në justifikim gjakimet serbe për “Serbinë e Madhe”, që do ta gllabëronte përsëri Kosovën. Kuptohet se qartësia e politikës shqiptare për një zgjidhje europiane të çështjes së Kosovës dhe gjithë ngatërresave të trashëguara ballkanike, vjen edhe nga fakti që integrimi në BE shihet në Tiranë si opsioni pa asnjë tjetër alternativë. Ndërkohë nuk është më një sekret se vendosmëria e elitës politike serbe për integrim në Europë, po luhatet edhe nga ndikimet gjithnjë e më të fuqishme të një gravitacioni që origjinon nga Moska.

Por, gjithsesi, jemi në nisje të një procesi që do të testojë se sa thelbësisht apo realisht po ndodh dhe do të thellohet procesi i europianizimit në Shqipëri dhe Serbi. Sepse nëse do të jetë real atëherë europianizmi si vlerë e përbashkët nuk mund edhe të mos sjellë afrimin mes të dy vendeve edhe për sa i takon Kosovës dhe Preshevës. Por është e qartë që sot, se për Serbinë nuk mund të ketë afrim me Europën pa njohur pavarësinë e Kosovës apo pa respektuar europianisht të drejtat e shqiptarëve në Luginën e Preshevës. Europa dhe europianizmi nuk janë fjalë, por vepra. Dhe vetëm vepra në frymë europiane mund të bëjnë që armiqësia në marrëdhëniet mes Tiranës dhe Beogradit të mbeten një makth tragjik i së shkuarës, por jo një fatalitet i së ardhmes.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA