Festivali operistik “Marie Kraja” ngre siparin

30/10/2014 00:00

Festivali Ndërkombëtar Operistik “Maria Kraja” vjen me edicionin e tij të 14 në TKOB në datat 31 tetor dhe 1 nëntor.

Një event i rëndësishëm për gjininë, i cili mbledh të rinj nga e gjithë bota, duke u dhënë mes të tjerash mundësi njohjeje me figura të rëndësishme të muzikës lirike, që përbëjnë jurinë e festivalit, por edhe një spektakël për publikun, sipas organizatorëve, këtë vit me një imazh të ri.

“Është bërë një stacion i qëndrueshëm jo vetëm për artistët shqiptarë por edhe ata lirikë kudo që ndodhen, pasi festivali ynë është shumë i njohur. Nëse unë si producente do përcaktoja kulminacionin e këtij edicioni do ta përkufizoja me fjalët se, këtë vit ai vjen i ndërkombëtarizuar me të gjithë elementët e tij”, deklaroi Zana Çela, drejtoreshë artistike.

Janë 15 këngëtarët pjesëmarrës, dy prej tyre nga Shqipëria dhe Kosova. Ata do të konkurrojnë në dy gara, atë të aries lirike dhe këngës së legjendës.

Do të jenë dy juritë, ajo e lirikës për çmimin e madh Maria Kraja, e cila përbëhet mes të tjerësh nga Dominique Meyer, drejtor i Operas shtetërore të Vjenës, Brigitta Svendsen, drejtoreshë e Operas mbretërore Suedeze dhe juria e këngës së legjendës janë muzikantët e orkestrës së TKOB.

“U përpoqëm të jemi më kontemporanë dhe të sjellim frymën e demokratizimit që ka kudo në botë teatri i operës. Këngët e mëdha dhe baladat e mëdha, të sjella në skenë nga personalitete të tilla, e bëjnë shumë bukur këtë demokratizim”, deklaroi regjisori Pali Kuke.

Top Channel