“Vritini shqiptarët”, kudo në Beograd

17/10/2014 00:00

Dhuna e shkaktuar ndaj lojtarëve kuqezi dhe të gjithë shqiptarëve që ndoqën atë ndeshje ishte vetëm fundi i një pritje të turpshme që Serbia i bëri përfaqësueses sonë, së bashku me delegacionin që rezultuan se ishin thjesht të ftuar për t`u ofenduar.

Më tepër se siguri, forcat speciale dhe antiterror të Serbisë, transmetonin një ndjenjë ankthi e frike për atë që na priste më pas.

E gjithë rruga ishte e zbrazur dhe policë që rrethonin autostradën me një distancë në rreth 500 metra nga njëri-tjetri, deri në mbërrritjen në hotel, ku një tjetër grup i madh policësh ruanin delegacionin shqiptar. Në pamje të parë të qetë kuqezinjtë përpiqeshin të mos tregonin ankthin që i shoqëronte nga siguria e tepërt.

Qetësia një ditë përpara ndeshjes, edhe në stadium ku u zhvillua seanca e fundit stërvitore, ishte qetësia tipike që i paraprinte një tensioni të madh, atë që deri në ato momente, Beogradi po e fshihte mjaft mirë.

Ndërkohë një ditë më pas, në atë të ndeshjes, atmosfera po nxehej dhe këtë e tregonin qartë forcat e shumta të policisë nëpër kryqëzime, apo gjatë gjithë rrugës për tek stadiumi “Partizani”.

Një stadium i shndërruar në ferr, një qendër grumbullimi i të gjithë ekstremistëve antishqiptarë, që fatkeqësisht, kishin mbërritur ngado që ishin, për të na turpëruar, ofenduar dhe treguar qartë racizmin ndaj shqiptarëve.

Dhe himni ynë ishte i pamundur të dëgjohej, zërat e pak shqiptarëve, përfshi këtu edhe lojtarëve ishin mbytur nga uturima e turpshme e 32 mijë të pranishmëve në këtë stadium që ofendonin himnin e një kombi, që në teori duhet të ishte një vend mik që kishte shkuar për të luajtur futboll.

Një gumëzhitje kafshërore që ndërpritet në momentin e fillimi të himnit të tyre, aty ku të gjithë dëgjojmë edhe bandën muzikore, e cila me sa duket funksiononte përgjysmë. Dhe të gjithë kësaj atmosfere, vazhdimisht nuk i ndaheshin koret ofenduese, të përsëritura aq shumë saqë jo vetëm ne, por  edhe delegatët e UEFA-s u shurdhuan, megjithatë ata prap nuk i dëgjuan dhe nuk iu dukën as raciste, as fyese dhe as thirrjet e flamujt “Kosova është Serbi”, nuk iu duken politike.

Si për të zgjuuar krenarinë e atyre pak shqiptarëve në stadium ishte pankarta me hartën e Shqipërisë së madhe dhe me dy nga ikonat përfaqësuese të shqiptarëve, si Isa Boletinin dhe Ismail Qemalin. Një drone që shëtiste që me sa duket i erdhi në ndihmë shpërthimit të instikteve kafshërore të këtyre tifozëve që hynë në fushë për të goditur këdo që mbante të veshur uniformën tonë dhe pavarësisht 4000 forcave policore, shumë prej tyre hynë në fushë dhe ja arritën qëllimin, edhe për ta goditur përfaqësuesen tonë, si të mos mjaftonin ofendimet për më tepër se ato 40 minuta lojë.

Vendimi normal dhe njerëzor për të mos zbritur më në fushë ishte një tjetër nxitje tashmë e forcave policore për të vazhduar ofendimet ndaj shqiptarëve. Çantat e futbollistëve u kontrolluan si në asnjë vend të botës, ndoshta për herë të parë në historinë e një përfaqësueseje anëtare të UEFA-s, e megjithatë prap këta të fundit, pak kanë parë nga e gjithë kjo.

Një histori ankthi që shtohej për sigurinë e jetës tashmë, jo thjesht për vazhdimin. Të gjithë nxitonin, telefononin e raportonin për një largim sa më të shpejtë nga ajo tokë, ndërkohë që në atdhe na prisnin tifozët tanë, ata që nuk u lejuan të vinin për ta mbështetur përfaqësuesen, por që prisnin me padurim të përshëndesnin, përqafonin e përgëzonin ata djem që luajtën shumë mirë për aq minuta dhe nuk lanë askënd të prekte e përdhoste të paktën me duar, figurat e mëdha të kombit tonë.

E mes gjithë kësaj kënaqësie që më në fund ishim në shtëpinë tonë, UEFA duket e shurdhër, e verbër dhe presidenti Platini nxjerr në pah hamendësimet dhe fantazitë e tij kundër këtij vendi, që e do aq shumë sa herë afrohen zgjedhjet.

Top Channel