ARBEN MANAJ – Ndeshja e sotme në Beograd mes Serbisë e Shqipërisë, edhe
pse ndeshje futbolli, është shndërruar në një farë mënyre, fatkeqësisht
në një ndeshje mentalitetesh, dhe mbi të gjitha politike.
Moslejimi i tifozerisë shqiptare në Beograd, demonstron sa impotencën e autoriteteve të fqinjëve për t’u shkëputur nga mentaliteti dhe nacionalizmi demode në kohën e integrimeve europiane, por edhe pafuqinë e këtij shteti për të kontrolluar dhe menaxhuar një grup tifozësh që kurrë nuk kanë treguar se janë të dhunshëm si ai serb.
Vendimi serb, qoftë edhe me bekimin e institucioneve europiane të futbollit, është fatkeq, pasi është vetëdemaskues, për një komb që pretendon se mund të bashkëjetojë krah përkrah të tjerëve si europian.
Ky vendim bën të pavlefshëm edhe sloganin “NO TO RACISM”, që FIFA shpalos në fillim të çdo ndeshjeje ndërkombëtare futbolli, pasi mosprania e tifozerisë shqiptare në thelb nuk është gjë tjetër veçse institucionalizim i racizmit nacional.
Dhe pikërisht për këtë arsye, institucionet ndërkombëtare do të duhet të ndëshkonin Federatën Serbe dhe Beogradin, duke e dënuar në tavolinë Serbinë apo me ndeshje në fushë asnjanëse, në rast se Serbia nuk do të ishte në gjendje të garantonte sigurinë fizike të 5 përqindëshit që aplikohet për vizitorët kundërshtarë në çdo takim ndërkombëtar futbolli.
Madje, edhe Shqipëria, argumentueshëm, nuk do të duhet të pranonte të luante, dhe refuzimi i saj do të nxirrte më në pah në sy të botës racizmin serb ndaj Shqipërisë, dhe padyshim do të kishte mirëkuptimin e botës së qytetëruar ndaj një gjesti të tillë politiko-sportiv.
Por kam bindjen se qeveria shqiptare është duke u treguar diplomatike dhe zemërgjerë me Beogradin, aq më tepër në prag të vizitës së ardhshme të Ramës në Serbi.
Është më se e qartë se Serbia është ende e paçliruar nga inati i humbjes së Kosovës dhe triumfi i kauzës shqiptare në Ballkan.
Ky mostejkalim i kompleksit të humbjes së një gabimi historik, ka bllokuar racionalitetin dhe mban ende të gjallë këtë mentalitet të ndryshkur, që shkon deri në arbitraritet dhe arrogancë shtetërore.
E kam pak të vështirë të besoj se shteti dhe aparatet serbe të sigurisë, nuk janë në gjendje të kontrollojnë turmat serbe në stadium e jashtë tij, dhe nuk mund të garantojnë dot sigurinë e 5 përqindëshit shqiptar të tifozerisë shqiptare, që nuk kanë ndonjë rekord huliganizmi, qoftë jashtë Shqipërisë, qoftë brenda saj.
E nëse është e vërtetë, atëherë ky shtet është disfunksional. Por unë nuk e blej këtë argument.
E vërteta qëndron në mosfunksionimin, siç duhet, brenda parametrave të mentaliteteve të sotme e të pritshme europiane në mendjet e atyre që marrin vendime të tilla në strukturat e larta të futbollit dhe shtetit serb.
Serbia i ka bërë një shërbim të keq vetvetes me një gjest të tillë, gjest që nuk do të duhet të reciprokohet nga Shqipëria.
Përkundrazi, Shqipëria do të duhet të mos bjerë në nivelin dhe kurthin serb të fajit kolektiv ballkanik që kërkojnë të injektojnë serbët. Ata do të donin që Shqipëria t’u përgjigjet serbëve me të njëjtën monedhë mentaliteti dhe vendimmarrjeje, për të shfajësuar transgresionin e tyre dhe për të thënë që ky është mentalitet ndërballkanik dhe jo domosdoshmërish serb, e që praktikisht është vetëm serb.
Shqipëria i ka të gjitha kapacitetet dhe mendjehapjen e nevojshme për të mos u treguar Serbi.
Shqiptarët e thjeshtë në radhë të parë, janë aq të rafinuar dhe e them me bindje se do të mund të sfidojnë dhe mposhtin serbët edhe në këtë pikë, edhe pse mund të mos jenë aq të fortë në fushën e lojë sesa serbët me futboll të avancuar e mentalitet të prapambetur.
Por edhe “Policia e Tahirit”, po e quaj kështu, është më se në gjendje të sigurojë me lehtësinë më të madhe, sigurinë e tifozerisë serbe në Elbasan a Shkodër, pasi ka treguar se di të ofrojë siguri, profesionalizëm e seriozitet në operacione të tilla dhe vizita e fundit e Papës, ishte konfirmim dhe shembull i qartë.
Serbia mund të kualifikohet për në Europian, por me sjellje të tilla ballkanike të denja për fillimshekullin e kaluar, pa dyshimin më të vogël, duan apo nuk duan ta pranojnë, janë të skualifikuar nga Europa, si kontinent dhe mentalitet, qoftë edhe politik.
Top Channel