Në “shtëpinë” e Qemal Ataturkut

06/10/2014 00:00

Qyteti i Librazhdit mbetet pas, ndërsa rruga vijon përtej e shtruar për të paktën 12 kilometra.

Si shumëçka në këtë vend, që nis dhe lihet në mes, pas asfaltit mbin një pjesë e rrjepur keqazi, e cila të drejton për në Fushë Studë. Një luginë, që merr oksigjen nga pyjet e dendur dhe natyra e virgjër, të kredh në Komunën Stëblevë.

Mëse 60 përqind e Parkut Kombëtar “Shebenik-Jablonic” gjendet pikërisht në territorin e kësaj komune, duke i dhënë një pamje të rrallë, në antitezë të plotë me gjithçka e lidh me pjesën tjetër.

Pak më tej, rruga merr një kryqëzim të çuditshëm… Dikur, ajo kryesore të çonte e lidhte me 16 fshatra, ndërsa para disa vitesh u devijua drejt një zone ndërtimi HEC-esh. Ndaj, për të arritur në Stëblevë duhet të ndjekim një shteg, sot dytësor, që prej kohësh askush nuk i ka vënë një dorë, të paktën për ta mirëmbajtur sado pak.

Rreth 25 kilometra nga Librazhdi mbërrijmë në Stëblevë, fshatin dikur me 800 shtëpi, e sot të tkurrur në 15 të tilla.

“Duhet të ishte një destinacion prioritar për turizmin malor, por në fakt deri më sot nuk ka marrë kurrë mjaftueshëm. Stëbleva, e fshehur diku mes pyjeve, është një ndër ato pasuri të rralla që Shqipëria e ka, por që nuk di ta shfrytëzojë si shumëçka në këtë vend. Kjo zonë e lënë mënjanë është e gjitha për t’u zbuluar, për t’u prekur e mbi të gjitha për t’u shpluhurosur”.

Rruga kryesore hyrëse në fshat mban emrin e themeluesit të shtetit modern turk, Mustafa Qemal Ataturk. Për disa, kjo mund të jetë e çuditshme, por për banorët jo. Ka shumë historianë e studiues, që paraqesin dokumente e fakte, se origjina e Qemal Ataturkut është pikërisht nga kjo zonë.

Sipas banorëve, paraardhësit e tij vijnë nga Cankajt, një familje me pozitë të gjerë e pronare jo e vogël tokash, që ka jetuar dikur në këtë vend. Jo më kot, ata të tregojnë edhe një pjesë të këtyre pronave, që ndodhen më së shumti në këmbët e malit të Osojit.

Paraardhësit e Ataturkut jetonin në këtë vend, pranë një çezme, pronë e tyre dhe e restauruar së fundmi, sërisht nga banorët. Ata thonë se Cankajt e kishin shtëpinë këtu, më pas familja u zhvendos në Koxhaxhik, në Dibër të Madhe, e në fund në Selanik, ku dhe lindi Ataturku.

“Nxjerrja e këtyre figurave, në radhë të parë ripërtërit vlerat e vetë zonës dhe vlerat reale të komunitetit, dhe e dyta për të tërhequr kureshtjen e vizitorëve vendas dhe të huaj, për të parë që edhe në një zonë kaq të thellë, që ndodhet mbi 1150 metra mbi nivelin e detit, ka pasur figura dhe personalitete të shquara, që i kanë dhënë kombit dhe mbarë botës”, tha Mersin Hoxha, kreu i shoqatës “Stëbleva”.

Stëbleva, pjesë e krahinës së Gollobordës, është djegur plot tri herë nga serbët e bullgarët, e megjithatë fshati nuk u shua. Ai vjen sot me dy imazhet e tij, njëri ai i dhuratës së pakursyer natyrore, e tjetri ai i harresës shtetërore.

“Për momentin është pak vështirë, sepse mungon rruga. Rruga është kryesorja, se turistë të huaj vijnë këtu pothuajse çdo vit. Jo pak, por vijnë italianë, gjermanë, kanë qenë suedezë, bullgarë, maqedonas, që vijnë përherë këtu”, tha Abib Kormaku.

Është e vështirë të mos flasësh për problemet, e çdo banor nuk ngurron t’i rreshtojë.

“Këtu nuk ka ambulancë pikë së pari, nuk ka shkollë, drita e rrugë nuk ka. Si mos largohen njerëzit?”, thotë Baki Nura, pronari i bujtinës.

“Turizëm pa pasur shëndetësi s’bëhet. Ja do sëmuret, ku do shkojë turisti, do e çojnë në Librazhd, në Elbasan apo në Tiranë?”, thotë një tjetër banor.

Ka jo pak prej tyre, që kanë nisur të rikthehen e të përpiqen të investojnë në këtë vend. Hapat e parë janë bërë, por mbështetja e vërtetë mungon.

“Pa investime, individi nuk mund të realizojë çdo gjë. Personi, që ka bërë nja katër-pesë vila për turizëm aty, ka ngecur në vend, se aq është ekonomia, s’ka arritur më tutje. Duhet të ndërhyjë pak shteti”, tha Mehdi Kurti, kryeplak.

Pozicioni gjeografik i Stëblevës është për t’u pasur zili, jo thjesht si pasojë e natyrës. Fshati është në kufi me Maqedoninë dhe vetëm 23 kilometra nga qyteti i Strugës. Mjafton të mendosh se sa do të ndihmonte turizmin, hapja e një pike kufitare dhe lidhja me qytetin përmes një rruge të denjë. Një mundësi e jashtëzakonshme për të kthyer fshatin në një destinacion të jashtëzakonshëm turistik.

Zona ka boronica, trëndafil të egër, sherebelë, lule shtogu, salep, e sa e sa bimë medicinale, që janë një burim të ardhurash për banorët, që përpiqen kështu të përballojnë vështirësitë e të ndërtojnë jetën e tyre në këtë vend.

Shtëpi të shumta heshtin trishtueshëm, kur në fakt duhet të ishin të tejmbushura me banorë, e rrugicat e vetmuara me turistë.

“Një harresë totale nga ana e shtetit dhe e pushtetit”, thotë Reshat Gruda. “Stëbleva ka nevojë sot të ketë më tepër njerëz, po njerëz të ketë se u shkreh si fshat”, tha një tjetër banor i bujtinës.

Banorët të tregojnë vakëfin e famshëm, në festën tradicionale të të cilit mblidhen mijëra njerëz të zonës, e më gjerë.

Stëbleva ka gjithçka, ka historinë e jo të pakët; edhe pse shqiptarët janë gjithmonë modestë në promovimin e saj; ka natyrën mahnitëse që shkrihet me qiellin, ka pozicionin gjeografik; kaq afër në kilometra nga rruga nacionale në Librazhd, e po aq afër nga Struga; e mbi të gjitha ka njerëzit, që me mikpritjen e tyre të bëjnë të rikthehesh gjithmonë, me shpresën se diçka do të mund të ndryshojë.

Top Channel