Pogradeci pret turistët, qyteti buzë liqenit çel sezonin me turizëm kulturor dhe aktivitete verore

01/06/2026 12:41

Pogradeci, i renditur nga revista prestigjoze Time Out si një ndër destinacionet kryesore për t’u vizituar falë liqenit të Ohrit, po bëhet gati për të çelur sezonin turistik veror.

Ky vit e gjen qytetin liqenor jo vetëm me një kalendar të pasur aktivitetesh dhe kapacitete të shtuara mikpritëse, por edhe me një fokus të veçantë te turizmi kulturor, i cili po tërheq gjithnjë e më shumë turistët e huaj.

Destinacionet historike dhe pikat arkeologjike të zonës po kthehen në stacionet e preferuara, veçanërisht për vizitorët e huaj që kërkojnë të zbulojnë trashëgiminë e rajonit.

Bashkia e Pogradecit ka hartuar një listë të larmishme aktivitetesh kulturore e festive që do të shoqërojnë mbrëmjet verore, ndërsa operatorët privatë kanë rritur kapacitetet pritëse për të përballuar fluksin e parashikuar.

Megjithatë, sfidë mbetet oferta turistike rajonale për të cilën nevojitet më shumë angazhim dhe një bashkëpunim më i ngushtë mes të gjitha bashkive të qarkut, për ta kthyer të gjithë juglindjen në një destinacion të vetëm dhe unik.

Top Channel