Zanati që po shuhet, në Dukat kanë mbetur vetëm katër gra që punojnë ende qilime në tezgjah

01/06/2026 12:56

Tradita e artizanatit të qilimeve është një profesion në zhdukje, sa i bukur aq edhe i vështirë. Në fshatin Dukat, 57-vjeçarja Evelina Hasko e ruan këtë traditën e punimit të qilimave në tezgjah prej më shumë se 35 vitesh.

Aktualisht, Evelina është duke punuar një qilim, realizimi i të cilit ka nisur prej më shumë se një muaji dhe tashmë ndodhet në fazën përfundimtare. Ajo tregon se ky është një zanat sa i bukur, aq edhe shumë i lodhshëm dhe i vështirë.

Edhe pse vajzat e saj kanë ndihmuar shpeshherë në këtë profesion që në moshë të vogël, Evelina shprehet se puna nuk vlerësohet sa duhet dhe se fitimet janë minimale për mundin që kërkon, duke i larguar të rejat nga mësimi i traditës shekullore.

Sipas Evelinës, turistët e huaj tregojnë interes për të parë nga afër procesin e punës, por shpesh nuk e vlerësojnë realisht mundin dhe kohën që kërkon realizimi i një qilimi.

Në fshatin Dukat kanë mbetur vetëm katër gra që vazhdojnë të merren me punimin e qilimeve në tezgjah. Megjithatë, nga viti në vit ky zanat po shkon drejt zhdukjes, pasi të rinjtë nuk po tregojnë më interes për ta trashëguar këtë traditë.

Top Channel