Në një cep të Bulqizës, larg vëmendjes dhe ndihmës, një familje me pesë anëtarë po përballet çdo ditë me varfëri, sëmundje dhe kushte çnjerëzore banimi.
Bëhet fjalë për familjen e Bardhyl Shehut, e cila prej vitesh jeton në një dhomë të vetme të rrënuar, ku çdo ditë shoqërohet me frikën se tavani mund të shembet mbi kokat e tyre.
“Çdo ditë jetoj me frikën se shtëpia do të shembet. Kam kryer dy operacione dhe shëndeti nuk më lejon të punoj më shumë. Burimi i vetëm i të ardhurave është paga që marr në ndërmarrjen e pastrim-gjelbërimit, por ajo nuk mjafton as për ilaçet që më duhen.
Megjithatë, detyrohem të shkoj në punë çdo ditë, duke lënë pas fëmijët me ankthin se mos tavani bie mbi ta”, shprehet Bardhyl Shehu, kryefamiljar.
Sikur vështirësitë ekonomike të mos mjaftonin, edhe bashkëshortja e tij, Valbona, përballet me probleme të rënda shëndetësore. Ajo ka kryer katër operacione dhe nuk është në gjendje të punojë për të ndihmuar familjen.
“Vuaj nga tensioni dhe problemet me zemrën. Pas operacioneve e kam të pamundur të punoj. Gjendja jonë është shumë e rëndë dhe nuk dimë më ku të trokasim për ndihmë”, shprehet Valbona, bashkwshortja.
Familja jeton në kushte tepër të vështira. Energjia elektrike u është ndërprerë pasi nuk kanë mundësi të paguajnë faturat, ndërsa gjatë verës përballen edhe me një tjetër rrezik të madh.
“Në dhomën ku jetojmë futen gjarpërinj. Fëmijët tremben vazhdimisht. Nuk kemi siguri, nuk kemi kushte dhe nuk kemi mundësi të ndërtojmë një jetë normale”, shton Bardhyl Shehu.
Mes sëmundjeve, mungesës së të ardhurave dhe një banese që rrezikon të shembet nga momenti në moment, shpresa e vetme e kësaj familjeje mbetet ndihma e njerëzve me zemër të madhe dhe institucioneve përgjegjëse.
Apeli i tyre është i thjeshtë, por jetik: “Ju lutemi, na ndihmoni të sigurojmë një shtëpi të re për fëmijët tanë. Nuk kërkojmë luks, por vetëm një strehë të sigurt ku fëmijët të mos jetojnë me frikë dhe ku të kemi mundësi të jetojmë si çdo familje tjetër”.
Familja Shehu sot ka nevojë më shumë se kurrë për solidaritet dhe mbështetje. Çdo ndihmë, sado e vogël, mund të bëjë një ndryshim të madh në jetën e tyre dhe t’u japë shpresën që prej kohësh u mungon.
Top Channel