Mbijetesë me thërrime…

29/09/2014 00:00

Qyteti i Bajram Currit duket sa afër, aq edhe larg. Me kilometra është ngjitur, vetëm 4 të tilla, por rruga është aq e rrjepur sa, shpesh, edhe me kafshë do të ishte e vështirë të kalohej. Balltazi pallateve duket sikur fshehin syret dritaret e një fshati me 850 banorët e tij.

“Fshati Cerrnicë i ka dhe s’i ka të gjitha, ka rrugë dhe s’ka rrugë, ka ujë por s’ka vaditje, ka banorë por ka edhe shumë varfëri, e mbi të gjitha ka shumë premtime që s’janë mbajtur kurrë”.

Banorët të presin menjëherë duke të renditur problemet, kthyer në një zinxhir mbytës mbi jetët e tyre. Ikin e vijnë pa orientim, e po aq rrëmujshëm tregojnë gjithçka…

“Është lënë mënjanë rreth 22 vjet. S’ka vënë kush dorë fare, as e majta, as e djathta në të. Prandaj i kemi shkruar medias, që të vijë ta verifikojë në vend”.

Dikur fshati mbahej me bujqësinë, si rezultat i pozicionit mjaft të favorshëm gjeografik, që u ka dhënë fusha të shumta pjellore. Por, megjithatë, sot tokat janë thuajse në tërësi djerrë. Nga mbi 800 hektarë tokë dhe pemtore, sot janë të mbjella vetëm 12 deri në 15 hektarë, sepse fshati thahet për ujë vaditës, si pasojë e shkatërrimit të kanaleve të dikurshëm.

“Ky fshat ka pasur një kanal, që quhet ‘kanali i Mollarekës’ e që vinte nga lumi i Gashit, mbi Valbonë, dhe distanca e tij ka qenë 5 kilometra. 2 kilometra të tij kanë dalë komplet jashtë funksioni që nga viti 1992”.

Gjithçka duket edhe më absurde, kur shikon se Cërrnica, apo “Jaho Salihi” siç e ka pasur emrin dikur fshati, në njërin krah rrihet nga lumi Bushtricë, e në tjetrin nga ai Valbonë. Buzë ujit dhe pa ujë, kur do të mjaftonte një investim jo i madh duke pasur parasysh afërsinë e lumenjve.

Në këto kushte, e vetmja mundësi për banorët është ndihma ekonomike, asgjë tjetër. Sipas shifrave, nga më se 125 familje të këtij fshati, plot 70 të tilla frymëmarrjet i marrin veç nga ky burim, më shumë se modest të ardhurash.

“Jemi fshat shumë punëtor, por nuk kemi kushtet më minimale për të punuar. Pjesa më e madhe e fshatit jetojnë me një ndihmë ekonomike 20 mijë deri 30 mijë lekë të vjetra. Jemi në varfëri të madhe shumë”.

Për të kuptuar gjendjen e vështirë të fshatit mjafton të shikosh, veç bujqësisë, edhe blegtorinë. Dikur kjo zonë prodhonte më se 25 kuintal qumësht në ditë, ndërsa sot diçka më pak se 800 kilogram. Kjo, sepse banorët janë të pamundur financiarisht dhe mbajnë vetëm pak bagëti sa për konsum familjar, apo për të shitur diçka e për t’u shtyrë në këtë mënyrë me ato pak parà, muaj e muaj të tërë.

Kush ka pak fat, ka ndonjë të afërm në emigracion, të tjerët duhet të presin pa ditur se çfarë…

“Më ndihmojnë vëllezërit që i kam jashtë, çfarë të bëj, s’ka punë”.

“Maksimumi, në fshatin tonë mund të jenë tre-katër veta, që marrin një rrogë shtetërore, kurse të tjerët të gjithë pa punë, pa gjë”.

Në rrugicat e pluhurta, ku nuk gjen qoftë edhe një cm tokë të shtruar, më të vështirë e kanë të rinjtë, që përmes shikimit të shuar duhet të ndërtojnë të ardhmen e tyre.

“Është aq e vështirë për mua, sa më mirë të isha në burg, se në këtë fshat. Për mua është e njëjta gjë: kemi tokën, kemi gjërat, por s’ka ujë, s’ka punë. E njëjta gjë vetëm se jemi në një burg të hapur, asgjë më tepër”.

E vetmja pikë tregtimi e ndërtuar së fundmi po përmbytet nga listat e mjerimit, që shtohen e shtohen çdo ditë…

“Është e rrallë shtëpia që s’i duhen ushqime për të shtyrë ditët. Në marrtë një pension t’i sjell lekët, në mos nuk t’i sjell. Shiko, mund të ketë 2-3 vjet që janë shënuar këtu pa paguar dhe s’ke çfarë t’iu thuash. Në ma marrsh shpirtin, thonë, sepse s’kam ku t’i marr për të t’i dhënë. Vetëm dy-tre ditët e fundit janë marrë këto, kur kalojnë tre-katër ditë i kalojmë në regjistër, se edhe humbin”.

Fëmijët shkelmojnë një top gjysmë të shfryrë, me endrrat që duken sikur u përzhiten atje tej. Banorë të tjerë kundrojnë të pafuqishëm, me shpresën se diçka mund të ndryshojë. Disa të tregojnë telat e energjisë elektrike dhe kabinat e frikshme aty pranë, që duken po aq të rrënuara sa edhe shumëçka tjetër. Sa shumë duan të thonë, por edhe sa pak duan të kenë.

“Ne nuk kërkojmë gjithçka, sepse as në shtëpi nuk plotësohen të gjitha. A vjen njëra parti, apo tjetra, mua nuk më intereson partia, mua më intereson puna që duhet të bëjë njeriu. Duhet t’i ndihmojnë këta banorë, që të kenë ujë të pijshëm tani për tani, edhe në të ardhmen të vijë uji vaditës”.

Në fshatin Cërrnicë nuk duhet më shumë se sa dëshirë për të ndryshuar realitetin, sepse banorët shpirtmëdhenj nuk presin asgjë tjetër, përveç se strukturat përkatëse të bëjnë punën e tyre. Një kanal vaditës, një rrugë që do ta lidhte me qytetin, energjia e pak të tjera, që i përkasin si detyrim shtetit e askujt tjetër.

Top Channel