Kur shkolla të mëson gabim

24/09/2014 00:00

Shkolla është vendi ku këta vogëlushe formojnë njohuritë bazë. E këto njohuri janë guri i themelit për dijen e tyre që do të marrë rrugë më tej.

Në orën e Diturisë së një klase të tretë në një prej 9-vjeçareve të kryeqytetit, nxënësit mësojnë se ujku, ariu dhe KRIMBI janë kafshtë të egra dhe se ushqehen me çfarëdo që u del përpara.

Edhe pse libri duhet të jetë një e vërtetë absolute, Rea, 9 vjeç, analizon përse ky tekst nuk është i tillë: “Krimbi jeton nën tokë dhe nuk është kafshë e egër pasi nuk mund të hajë çdo gjë që shikon.”

Këto tekse po bëjnë xhiron e fundit të redaktimeve në bankën e nxënësve. Edhe pse realisht kjo fazë duhej të mbyllej që para daljes në dritë të tyre. Shpesh janë mësuesit ata që i pikasin gabimet dhe gafat dhe përpiqen të sjellin në formë sa më të saktë konceptet që fëmijëve u serviren gabim.

E krahas dijeve dhe mësimeve të marra, nxënësit janë bërë ekspertë analizash të gabimeve që u serviren si koncepte të drejta nga “xhaxhi autori”.

Vitet e fundit librat e shkollës nuk po serviren në formën e tyre më të mirë. Denoncimit të prindërve me fillimin e këtij viti shkollor për gabime dhe gafa në tekste, i pasuan një mori faktesh të tjera të grumbulluara edhe nga mediat. Dhe përpos shumë të tillave, edhe ne kemi bërë një vëzhgim jo shumë të thelluar të disa prej teksteve mësimore, për t’i vënë vulën faktit që mjafton të kapësh një titull çfarëdo dhe në të është e pamundur të mos ndeshesh në të tillë precedentë.

Nga gabimet ortografike e deri tek ato të koncepteve dhe moralit, tekstet nëpër shkolla sot janë ana më e keqe e mënyrës sesi nxënësit shqiptarë duhet të nxënë. Në këto libra sendet trajtohen si frymorë (“bankat rrinë në qetësi”), krimbi cilësohet kafshë e egër, në letrën e një vogëlusheje në një prej tregimeve të Gjuhës Shqipe për klasën e dytë jepet modeli i një babai ekstremisht të rreptë dhe një vogëlushe që vuan persekutimin e tij; emrat e përveçëm herë udhëzohen të shkruhen me të vogël e herë me të madhe brenda të njëjtës temë.

Por, më flagrant është fakti kur e vërteta historike e një date të rëndësishme për shtetin e shqiptarëve në dy tekste të ndryshme jepet ndryshe.

Në Historinë e klasës së nëntë, në një prej teksteve autorët shkruajnë se data e çlirimit të Shqipërisë është 29 nëntori, ndërsa në tekstin tjetër është data 28 nëntor.

Prindërit, “redaktorët” e fundit të librave shkollorë

Gjithë problematika e teksteve të shkollës peshon mbi kryet e nxënësve. Megjithatë, ata të cilët shqetësohen më së shumti dhe që kanë ngritur vazhdimisht zërin për këtë çështje janë prindërit.

Të profilit ose jo, ata shpesh kanë qenë dora e fundit e korrektimit të një teksti dhe me të drejtë shqetësohen për atë çfarë fëmijëve të tyre ju transmetohet përmes shkollës.

“I shikojmë një javë para, por nuk ke çfarë bën. Librat janë blerë”, thonë prindërit.

Reforma e altertekstit përfshin në procesin e vendimmarrjes për përzgjedhjen e librave edhe prindërit. Por a janë ata pjesë?

“Nuk jemi aspak pjesë e vendimmarrjes. Matematika dhe abetarja kanë shumë probleme po t’i shohësh me syrin e specialistit. Duhet gjetur një zgjidhje”, shprehen prindërit.

Alterteksti, reforma që zhbëri standartin e librave

Tekste të ngurta dhe jobashkëkohore. 5 vite më parë kjo situatë nxiti idenë për shumimin e teksteve shkollore, ku për çdo titull të kishte më tepër se dy alternativa.

Dhe përpos të tjerave nisma synoi të thyente monopolin e librit shkollor. Kështu, si pjesë e reformave për arsimin parauniversitar lindi alterteksti.
Për herë të parë, shkollat, praktikisht vetë mësuesi i lëndës, do të zgjidhte se me çfarë teksti do të zhvillonte programin mësimor midis shumë alternativave të certifikuara nga Ministria e Arsimit. Kjo solli një lloj lirie dhe duket se për herë të parë shkolla shqiptare shpëtoi nga tekstet e dalë kohe.

Por, nuk do të kalonte shumë kohë dhe në sipërfaqe pluskuan problemet e para. Tekstet me gabime dhe cilësi e dobët në hartimin e tyre. Ato janë kritikuar që në nisje të reformës si të tilla, por problemi duket se është bërë më akut tani ku për një titull libri ekzistojnë deri 11 alternativa, çka ka bërë që në tregun e librit shkollor të qarkullojnë mbi 900 tituj. Kështu, bashkë me reformën e altertekstit ka lulëzuar edhe biznesi i shtëpive botuese.

Aktualisht, në Shqipëri janë 29 të tilla, të cilat jo vetëm që janë ofruar me çdo kusht për të hyrë në tregun e librit shkollor, por madje janë të gatshme të ofrojnë tekste të çfarëdolloj profili. Matematikë, gjuhë, histori, dituri natyre, edukatë…

Ekspertizën e të gjitha këtyre fushave e ofron secila prej 29 shtëpive botuese. E duke pasur një fluks kaq të madh prurjesh në tregun e librit shkollor, sitës së komisioneve të vlerësimit dhe hartimit të teksteve u kanë shpëtuar shumë syresh…

Po çfarë do të ndodhë në këtë moment kur shkolla po lëkundet nga themeli i saj, dija? Ministria e Arsimit e ka të pamundur të ndërhyjë për tërheqjen e titujve sepse argumenton që duhet ndryshuar ligji më parë. Ndërsa propozohet ideja për adaptimin e tyre nga jashtë vendit. Por, derisa masa të reja të merren, edhe këtë vit shkollor nxënësit do të mësojnë me tekste që janë shumë larg standarteve.

Top Channel