Antiduhani, gjoba institucioneve shtetërore

23/09/2014 00:00

Institucionet shtetërore kanë rezultuar shkelëse të ligjit antiduhan më shumë se bizneset private. Drejtori i Inspektoriatit Shëndetësor Shtetëror, Eltar Deda deklaron se një ditë më parë ka ndëshkuar me gjobë Prokurorinë e Përgjithshme dhe Gjykatën e Tiranës, ndërkohë që nuk kanë munguar dhe institucione të tjera shtetërore të cilat do të shlyejnë tashmë gjobë në vlerën 300 mijë lekë.

“Institucionet shtetërore lënë për të dëshiruar, pasi ka punonjës që e kanë shkelur ligjin dhe nuk e zbatojnë atë. Kemi vendosur gjoba në prokurori, gjykatë, nëpër ministri dhe në spital. Po vijojmë punën pasi duhet të jenë institucionet shtetërore që ta zbatojnë të parat ligjin dhe pastaj bizneset”, deklaron Deda.

Kryeinspektori Deda thotë se deri më tani ligji është respektuar dhe po monitorohet rregullisht dhe ndëshkimi me gjobë ka vijuar si për institucionet publike ashtu dhe ato private.

Gjoba e parë ende nuk është vjelur, duke e lënë në ndërgjegjen e shkelësve për ta derdhur atë. Gjoba ka afat deri në 30 ditë, për t’u shndërruar më pas në titull ekzekutiv, kur përmbarimi nuk toleron askënd dhe si institucionet publike dhe ato private nuk do të mund të shpëtojnë.

“Nëse do ta merrnim në total, janë vendosur 100 milionë lekë të vjetra gjoba. Komisioni i ankimimit është ngritur, kemi shqyrtuar 12 ankesa dhe ligji e ka që brenda 30 ditëve gjoba bëhet ekzekutive. Pra, brenda datës 9 tetor duhet të shohim reagimin e subjekteve, pastaj të marrim vendimet tona”, sqaron Deda.

Por përveç monitorimit të inspektorëve, shton Deda, vihet re një ndërgjegjësim i madh i qytetarëve, të cilët nëpërmjet numrit të gjelbër 0800.40.40 denoncojnë ata që konsumojnë duhan në ambientet e brendshme ku ligji parashikon ndalimin e konsumit.

Top Channel