Pas Tiranës, nënshkrimi i peticionit ku kërkohet mbledhja e Parlamentit në një seancë të jashtëzakonshme për të shkarkuar guvernatorin e Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani është shtrirë edhe në disa qytete të vendit.

Organizatorët nga shoqëria civile, nismëtarë të këtij peticioni, i thanë Top-Channel se deri mbrëmjen e së shtunës numri firmëtarëve të peticionit i kalonte 2.500 persona.

Sipas tyre, paraditen e së hënës në çdo qytet të Shqipërisë do të vendosen tryeza nga ku qytetarët do të kenë mundësi të vijojnë nënshkrimin e peticionit, si një formë për të kërkuar nga Parlamenti marrjen e nismës për shkarkimin e guvernatorit, por edhe si një formë proteste qytetare ndaj aktit të papreçedent të vjedhjes së bankës së shtetit.

Krahas nisms së mbledhjes së firmave të qytetarëve, presionet për dorëheqjen apo shkarkimin e guvernatorit të BSH janë shtuar si në media, ashtu edhe në qarqet politike.

Pavarësisht se në deklaratën e para disa ditëve të qeverisë lidhur me vjedhjen e 7.1 milionë dollarëve nga Banka e Shqipërisë nuk përmendet emri i Fullanit, duket se brenda mazhorancës po shtohen zërat që kërkojnë largimin e tij.

Pas deklaratave të forta përmes rrjetit social Facebook të kreut të komisionit parlamentar të ekonomisë, Erion Braçe, për nevojën e largimit nga detyra të Fullanit, një tjetër deputet i maxhorancës, Fatmir Toçi ka deklaruar se, “kupola drejtuese e Bankës së Shqipërisë duhet të japë dorëheqjen”.

Në deklaratën e tij për Ora Neës, Fatmir Toçi u shpreh se, “nëse guvernatori nuk jep dorëheqjen, atëherë skandali nuk mund të zbardhet”. Ndërkohë mësohet se brenda mazhorancës të tjera zëra pritet t’i bashkohen publikisht apelit që kërkon largimin e Fullanit.

Top Channel