Një çift u mbyt të enjten në bregdetin e Kavajës, ndërsa shpëtuan fëmijën e tyre, që po lahej në një det të trazuar.

Tragjedia nuk do të kishte ndodhur, nëse aty do të kishte pasur roje plazhi, të cilët paralajmërojnë njerëzit të mos futen në ujë, kur deti është i rrezikshëm.

Në plazhin e Durrësit janë vetë pronarët e hoteleve, që po investojnë në sigurinë e pushuesve. Për herë të parë këtë vit, rojet e plazhit nuk janë vetëm një kullë prej druri, por njerëz të stërvitur, që patrullojnë dhe shërbejnë gjatë gjithë kohës.

Studentë të Universitetit të Sporteve, pasi janë trajnuar në Mal të Zi nga agjencia e bregdetit, janë punësuar nga bizneset private si “Baywatch”, duke i ardhur kështu në ndihmë pushuesve në nevojë. Një profesion, që duket se ka tërhequr më shumë femrat.

“Këtu patrullojmë dy persona, duke e bërë me javë. Kur ka fluks jemi në gatishmëri të dy bashkë, por në raste të tjera mund t’ia dalim edhe vetëm”, thotë Fibela Koçi, roje bregdeti.

Edhe administratorët e bizneseve shprehen se, duke i ardhur në nevojë pushuesit, kryesisht kategorisë së fëmijëve dhe të moshuarve, ata përveç misionit human kanë edhe përfitime në biznesin e tyre, duke qenë se tërheqin një pjesë të mirë të turistëve.

“T’i japim më shumë siguri klientëve e turistëve. Kjo është një gjë e mirë, pasi është një gjë e domosdoshme që duhet ta ketë çdo plazh. Dihet që ne kemi një turizëm familjar më së shumti, pra kemi shumë fëmijë, nga ana tjetër kulla e kontrollit shfaqet edhe si ‘qershia mbi tortë’ për plazhin e Durrësit”, shprehet administratori i një biznesi.

Vendosja e rojeve bregdetare është pritur mirë nga pushuesit, të cilët janë tashmë më të sigurt. Përgjatë vijës bregdetare në plazhin e Golemit janë ngritur gjithsej 3 kulla vrojtimi dhe patrullojnë disa roje plazhi.

Por, edhe pse një profesion që shërben për të ruajtur jetën e pushuesve, duket se pengesa më e madhe për ta bërë këtë punë janë vetë pushuesit, të cilët nuk janë edukuar ende të respektojnë sinjalistikën e rojeve, që do të thotë se kur ata ngrejnë flamurin e kuq nuk duhet të futesh në ujë.

“Flamuri i kuq tregon që nuk duhet të futesh fare në det, ndërsa ai i verdhë sinjalizon futjen me ndihmën e mjeteve ndihmëse të notimit, siç janë jelekët. Kur është flamur jeshil mund të notohet lirshëm nga kushdo”, shtoi më tej Fibela Koçi.

Top Channel