100-vjetori i Luftës së Parë Botërore

04/08/2014 00:00

Ceremonia e përkujtimit të 100-vjetorit të Luftës së Parë Botërore u mbajt ditën e hënë në Belgjikë.

Të pranishëm në eventin e organizuar posaçërisht për këtë ishin personalitete ndërkombëtare, përfshirë Mbretin Philippe të Belgjikës, liderët francezë dhe gjermanë, Princi William i Britanisë së Madhe (Duka i Kembrixhit), si dhe David Cameron, i cili u bashkua me ta, pasi data 4 Gusht shënoi dhe hyrjen e Britanisë në luftë.

Ceremonia shërbeu dhe si një vendtakim për liderët botërorë, të cilët u shprehën se kanë qenë armiq 100 vite më parë, por sot çdo konflikt mes tyre është shuar; ata janë miq e aleatë, madje kryeministri britanik u shpreh se luftrat botërore kanë shërbyer si mësim për shtetet e tyre.

Pjesë e rëndësishme e përkujtimores ishte nderimi i heronjve të luftës, para përfundimit të së cilës u vranë rreth 16 milionë njerëz. Në mënyrë simbolike u bë një paradë kalimi në varret e tyre.

Në ceremoni mori pjesë dhe presidenti Bujar Nishani, me zonjën e tij, ftesë të cilën e morën nga Mbreti Philippe i Belgjikës. Në fund të përkujtimores u ekzekutuan dhe himnet e disa vendeve europiane.

Top Channel