Suksesi që vjen nga dora e majtë

24/07/2014 00:00

Më tepër kreativë, më të aftë, më të pasur, pas shekujsh të tërë represioni, kush shkruan me dorën e majtën mundet më në fund “të hakmerret”. Deri disa vite më parë, mëngjarashët korrigjoheshin vazhdimisht në shkollë, duke u detyruar që të përdornin dorën e djathtë.

Studime të shumta kanë konfirmuar se njerëzit, që shkruajnë me dorën e majtë, apo rreth 10% e popullsisë, kanë probabilitet më të lartë që të mposhtin “të djathtët” në shumë fusha. Përveç Albert Einstein, një mëngjarash “i korrigjuar”, siç ishte zakon në atë kohë, cilët janë disa nga mëngjarashët e famshëm?

Barack Obama – Një studim britanik, i botuar në “Nature Neuroscience”, ka treguar se mëngjarashët janë më të predispozuar nga pikëpamja neurologjike, për “të ushtruar” artin e oratorisë: truri i tyre, në fakt, ndryshe nga ai i njerëzve që shkruajnë me dorën e djathtë, i përdor të dyja hemisferat për përpunimin e gjuhës. Një nga modelet më të mira të mëngjarashëve oratorë është padyshim Barack Obama.

Van Gogh – Piktorë, arkitektë, projektues, ilustrues… Në mesin e atyre që përdorin lapsin, por edhe furçën apo daltën, mëngjarashët janë vërtet me shumicë. Sipas shkencëtarëve, ndoshta kjo lidhet me faktin se ana e djathtë e trurit, dominante te mëngjarashët, është “selia” e kapacitetit vizual. E mes tyre është edhe Van Gogh.

Napoleon Bonaparti – Sipas një studimi të universitetit “Saint Lawrence”, në Nju Jork, mes të gjithë njerëzve me koeficientin më të lartë të zgjuarsisë, pra superinteligjentët, gjendet numri më i madh i mëngjarashëve. Studiuesit thonë se inteligjenca e mëngjarashëve është më fluide dhe se, te këta individë vërehet një prirje më e madhe për të zgjidhur problemet. Ndoshta, kjo është arsyeja, pse Napoleon Bonaparti është konsideruar si një prej strategëve më të mëdhenj ushtarakë në histori?

Bill Gates – Një studim i kryer nga Zyra Kombëtare e Kërkimeve Ekonomike të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, tregon se në SHBA meshkujt mëngjarashë kanë të ardhura mesatare 15% më të larta, se sa ata që përdorin të djathtën. Sipas autorëve të studimit, duke qenë se mëngjarashët janë më kreativë dhe më të zgjuar se mesatarja e popullsisë, zënë pozicionet më të rëndësishme nëpër kompani të ndryshme, si rezultat edhe me paga më të larta. Mes mëngjarashëve multimilionerë, një vend i takon edhe Bill Gates, i cili që nga viti 1996 ka qenë vazhdimisht në renditjen e tre njerëzve më të pasur në planet.

Top Channel