Afganistani me qeveri paralele?

08/07/2014 00:00

Kandidati që rrezikon humbjen në zgjedhjet presidenciale afgane, Abdullah Abdullah deklaron se do të krijojë një “qeveri paralele” nëse rivali i tij Ashraf Ghani del zyrtarisht fitues.

Aktualisht ish-ministri i Financave, Ashraf Ghani po udhëheq garën elektorale për të zëvendësuar Hamid Karzain si president të vendit.

Sipas Komisionit Zgjedhor, në këtë pikë kyçe të procesit Ghani  kryeson me afërsisht 56% të votave. Nga ana tjetër Abdullah, me 43 për qind të votave, tha se ka dyshime mbi rezultatet paraprake dhe pas raundit të parë ka nisur rinumërimi në mijëra qendra votimi.

Ai është shprehur qartë se do të respektojë fitoren e rivalit politik vetëm nëse vërtetohet se zgjedhjet kanë qenë të drejta dhe me një rezultat ‘legjitim’.

Ndërkohë, sekretari amerikan i Shtetit, John Kerry ka paralajmëruar se
një dështim në pranimin e rezultateve mund të dëmtojë sigurinë dhe
stabilitetin e vendit.

Ndërkohë, një atentator vetëvrasës ka vrarë të martën 16 persona, përfshirë katër ushtarë të NATO-s, në një sulm në rrethinat e bazës ajrore të Bagramit, në veri-lindje të vendit.

Të paktën 10 civilë dhe 2 oficerë policie kanë mbetur të vrarë nga ky sulm, që ndodhi pranë një klinike në afërsi të bazës më të madhe amerikane në vend.

Top Channel