Një muaj përpara skadimit të kohës parlamentare për miratimin e mundshëm të reformes së re territoriale, Partia Demokratike, bashkë me shoqatat e të zgjedhurve vendorë, do të paraqesin propozimin e tyre se si duhet kryer një nga reformat më të rëndësishme për vendin.

Deputetja Jorida tabaku, e cila deri pak kohë më parë ka kryer detyrën e nënkryetares së Bashkisë kujdeset të saktësojë që në fillim se thelbi i kësaj reforme nuk është harta, por decentralizimi, një koncept ky i kundërt me rrugën e ndjekur prej qeverisë.

“Reforma territoriale duhet të jetë një reformë e cila nis me decentralizimin, vazhdon me ndryshimet në paketat e ndryshme ligjore, në ligjin për pushtetin vendor dhe përfundon, ka si produkt përfundimtar një hartë, një ndryshim territorial. Pra harta nuk është qëllim në vetvete, por harta si përfundim dhe produkt i një procesi logjik të nisur me këto elementë që unë përmenda”, thotë deputetja Jorida Tabaku.

Top Channel ka mësuar se në draft-rezolutën që pritet të miratohet nga takimi i fundit, ku janë ftuar të zgjedhurit nga 386 njësi vendore,  peshën kryesore për paketën reformuese do ta mbajnë propozimet e ekspertëve, një prej të cilëve flet për një ndarje nga 88 deri në 100 njësi vendore.

Ndërsa një pikë tjetër e rëndësishme për opozitën vazhdon të jetë konsesusi politik në Kuvend, i cili duhet të jetë në bazë të çdo vendimi për çështjen e reformës administrativo-territoriale.

“Jo vetëm se preket Kushtetuta, konsensusi duhet të jetë minimumi për cdo reformë që prek më shumë se 4 vite të një mandati qeverisës. Reforma territoriale mund të prekë 20-25 vitet e ardhshme, ndoshta edhe më shumë. Është përvoja parlamentare që bashkëpunimi politik ka realizuar disa reforma të rëndësishme”, sqaron Tabaku.

Qendrimi që përkrah opozita në këtë rezolutë është dhënia e mundësisë komuniteteve për t’u shprehur me refendum lokal për ndryshimin e kufijve vendore, gjë që do të thotë se koha se kur përfundon reforma adminsitrative territoriale për Partinë Demkratike nuk ka rëndësi parësore, ashtu sic ka për qeverinë, e cila ka synim që zgjedhjet e ardhshme lokale t’i zhvillojë sipas hartës së re.

Për opozitën çelësi i suksesit nuk qendron tek koha, por tek vullneti për të punuar së bashku në mirëbesim.

“Ne nuk mund të imponojmë dot axhendën e qeverisë. Reforma territoriale ka qenë një nga objektivat e qeverisë, por nga ana tjetër mund të them që ekziston varianti që të lihet me konsensus një datë për një palë zgjedhje se kur mund të hyjë në fuqi. Çdo gjë është pjesë e vullnetit politik”, thotë deputetja demokrate.

Përpara se qëndrimi përfundimtar i të zgjedhurve lokalë të opozitës të bëhet publik të mërkurën, kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, njëkohësisht edhe kryetar i Bashkisë së Tiranës, u takua me aleatët në opozitë për të rakorduar një qëndrim të përbashkët.

Top Channel