Spanjë, demi shpartallon matadorët

21/05/2014 00:00

Ceremonia hapëse e sezonit të ndeshjeve me dema në Madrid të Spanjës është anuluar pasi evenimenti përfundoi me dëmtimin e tre toreadorëve nga demi.

David Mora pësoi lëndimet më të rënda, pasi një nga kafshët i nguli bririn tek këmba dhe e fluturoi në ajër, në arenën Las Ventas. Mediat spanjolle raportojnë se ai është në gjendje të rëndë, por jashtë rrezikut për jetën.

Organizatorët e festivalit San Isidro deklaruan se është hera e parë në 35 vjet që një eveniment i tillë anulohet. “Në historinë 68-vjeçare të San Isidros, dy ndeshje janë anuluar për shkak të lëndimit të matadorëve, të dyja në vitin 1979”, thanë ata në një deklaratë për shtyp.

Toreadori David Mora, që hapi programin, ra në tokë pasi u godit nga një dem 532-kilogramësh. Turma pa e tmerruar se si ai u godit me brirë dhe fluturoi në ajër. Atleti mori një plagë të rëndë në kofshën e tij dhe një tjetër në sqetull, njoftuan organizatorët.

Ndërsa atleti i dytë, Antonio Nazare, u plagos në gjurin e tij pasi demi e tërhoqi zvarrë në pistën e arenës. Dhe në fund Jimenez Fortez u dëmtua në këmbën e majtë dhe tek legeni i trupit.

Të tre ata janë dërguar në spital për t’u mjekuar dhe dy të fundit pritet të dalin së shpejti. Gazeta spanjolle “El Pais” e cilësoi sulmin e demit si “të tmerrshëm, tronditës dhe drithërues”.

Rreth 2 mijë ndeshje me demat mbahen çdo vit në Spanjë, por megjithatë numri i tyre është në rënie. Në vitin 2010 rajoni katalanas u bë i dyti pas ishujve Kanarie që ndaloi ndjekjen e traditës.

Kundërshtarët e saj e përshkruajnë këtë eveniment si një gjakderdhje barbare, ndërsa fansat, mes të cilëve renditet edhe kryeministri Mariano Rajoy, thonë se është një art antik i rrënjosur thellë në historinë kombëtare.

FOTO GALERI
2/4

Top Channel