Zbulohen fosilet e dinosaurit më të madh

17/05/2014 00:00

Në Argjentinë u zbuluan fosilet e dinosaurit më të madh që ka ecur ndonjeherë në planetin tonë. Paleontologët besojnë se është një specie e re e Titanozaurit, barëngrenës, i cili vjen nga periudha e hershme e Kretakut.

Mbështetur tek kockat e stërmëdha qe u zbuluan, ai mund të ketë qene 40 metra I gjatë dhe 20 metra I lartë. Titanozauri peshonte 77 tonë dhe ishte aq i rëndë sa 14 elefantë të marrë së bashku dhe 7 tonë më i rëndë se mbajtësi i mëparshëm i rekordit, Argentinosauri.

Ishte një fermer që zbuloi fosilin në shkretëtirë, në afërsi të La Freçës, rreth 250 km në perëndim të Trelevit, në Patagoni. Më pas një grup paleontologësh nga Muzeu i Paleontologjisë së Exhidio Ferulios gërrmoi dhe nxorri në sipërfaqe fosilet e tij; pjesë nga skeleti, rreth 150 kocka në total. Duke matur pjesën e femurit shkencëtarët llogaritën dhe peshën, përafërsisht 77 tonë.

Dinosauri herbivor apo barëngrënës jetoi në pyjet e Patagonisë  95 apo 100 milione vjet më parë duke u bazuar në moshën e gurave, ku u gjetën kockat e tij. Por pavarësisht madhësisë, ai ende nuk ka një emër. Shkencëtarët janë të mendimit se “emri do të jetë një dedikim për rajonin dhe fermerët që “njoftuan për zbulimin”.

Ka patur edhe pretendentë të tjerë për të marrë titullin “dinosaur më i madh në botë”. I pari në radhë ishte Argentinosauri, që po ashtu u zbulua në Patagoni.

Top Channel