Greqi, tentojnë vetëvrasjen dy shqiptarë

16/05/2014 00:00

Dy të burgosur shqiptarë që vuajnë dënimin në burgun e Malandrinos, në Fokidha të Greqisë qendrore, të dy të moshës 34-vjeçare, kanë tentuar të vrasin veten duke u vetëvarur në qelitë e tyre.

Lajmi që publikohet nga mediat greke konfirmohet edhe nga burimet pranë ambasadës shqiptare në Athinë, të cilat kanë pohuar për Top Channel se Agim Duka dhe Fatos Aliçani, të dy të dënuar me shumë vjet heqje lirie, janë përpjekur t’i japin fund jetës.

Sipas këtyre burimeve, rojet e burgut kanë arritur të shmangin në kohë fundin tragjik për Dukën, i cili tashmë ndodhet në Larisa, larg rrezikut për jetën. Ai ka pohuar se ka e kryer këtë tentativë pasi ka mësuar se e ka braktisur bashkëshortja.

Por në gjendje të rëndë për jetën ndodhet në spitalin e Lamias Fatos Aliçani, i cili ishte përpjekur dy netë rresht, në datat 13 dhe 14 maj, të vetëvarej dhe herën e fundit ka përdorur si litar një çantë plastike.

Sipas burimeve nga burgu i Malandrinos, edhe ai ka tentuar vetëvrasjen i shtyrë nga probleme personale, ndërsa thuhet se kohët e fundit ndodhej edhe në gjendje të rëndë psikologjike.

Dy tentativat në fjalë, që nuk janë të vetmet të regjistruara në burgjet greke, ndodhin vetëm disa orë pas dërgimit në Parlament të raportit të Ministrisë së Drejtësisë për gjendjen tragjike në 34 institucionet penitenciare të Greqisë, ku vuajnë dënimet 12.703 të burgosur, ndërsa kapaciteti i tyre është për 9.286 vetë.

Vetëm disa javë nga vrasja e të burgosurit shqiptar Ilia Kareli në burgun e Nigritës, si pasoje e torturave të rojave të burgut, gjendja brenda institucioneve korrektuese nuk ka ndryshuar aspak, komenton shtypi vendas.

E vetmja masë që do të fillojë të zbatojë Ministria greke e Drejtësisë është sistemi i ri i mbikëqyrjes, me anë të vendosjes së byzylykut elektronik tek 250 të burgosur, midis tyre 50 të mitur, ndërsa shumica do të jenë të burgosur me dënime të rënda nga 10 deri në 25 vjet heqje lirie.

Top Channel