Deklarata “bombë” e kryeprokurorit

16/05/2014 00:00

Prokurori i përgjithshëm Adriatik Llalla deklaroi se ka në dorë hetime që mund të ndryshojnë të ardhmen e vendit. Deklarata e kryeprokurorit erdhi gjatë një takimi të drejtuesve kryesorë të organit të akuzës.

“Falë bashkëpunimit tonë janë vënë para përgjegjësisë ligjore zyrtarë të niveleve të ndryshme, prokurorë, gjyqtarë e grupe kriminale. Gjithashtu, kemi në dorë hetime që nëse rezultojnë të suksesshme mund të kenë ndikim në të ardhmen e vendit”, deklaroi Llalla.

Ndërsa ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri i ka kërkuar haptazi prokurorëve hetim për ngjarjet e Gërdecit, 21 janarit, evazionit fiskal të zyrtarëve të lartë, si edhe kallëzimet e bëra kohët e fundit për ish-ministrin e Mbrojtjes.

“Për të kontribuar me gjithë kapacitetet tona në hetime, për të çuar në dënime penale nga gjykata të çështjeve të mbetura pezull, që janë shumë të rëndësishme për shtetin ligjor. Veçanërisht çështjet më të rëndësishmet për të cilat drejtësia dhe qytetarët presin përgjigje e që ne nuk mund të lejojmë të kthehen në simbol të padrejtësisë, pabarazisë, pandëshkueshmërisë, si “Gërdeci”, “21 Janari”, evazioni fiskal me tatimet në rendin e miliona eurove, zyrtarët e lartë, ndoshta nivelet më të larta, të kallëzuar për shpërdorim detyre dhe korrupsion e kështu me radhë”, deklaroi Tahiri.

Në fund të takimit, prokurori i përgjithshëm nuk dha detaje në lidhje me deklaratën e tij, as pas ineteresimit të gazetarëve. “Nuk kam asgjë më tepër për të shtuar sesa përmenda. Kemi disa çështje në hetim, po presim rezultatin dhe mendojmë se do kenë ndikim”, tha ai.

Deklarata e Llallës vjen pak ditë pasi kryeministri Edi Rama i bëri thirrje prokurorisë që të bëjë seriozisht detyrën e saj.

Top Channel