Policia ushtarake ekzekutoi të premten një vendim të gjykatës së Beratit për arrestimin e gjeneral brigade Syrja Gjoka, i cili mbante detyrën e komandantit të Brigadës Logjistike ne Tiranë.
Gjykata e Beratit kishte vlerësuar për të masën e sigurisë “arrest me burg”, për akuzën e shpërdorimit të detyrës, parashikuar në nenin 70/2 i Kodit Penal Ushtarak. Arrestimi i gjeneralit është kryer herët në mëngjes, në banesën e tij në Tiranë, në lagjen Sabaudin Gabrani.
Nga hetimet e prokurorisë ka dyshime se, gjatë kohës që gjenerali ka drejtuar bazën e forcave ajrore në Kuçovë, në vitet 2011-2012, në kundërshtim me ligjin dhe pa miratimin e strukturave eprore, ai ka nxjerrë urdhër për shkatërrimin e të paktën shtatë objekteve në pronësi të Forcave të Armatosura.
Gjatë hetimit prokuroria ka ngritur dyshime se gjenerali ka falsifikuar nënshkrimet e disa prej anëtarëve të komisionit, të cilët ishin ngarkuar për përcaktimin e objekteve që do të prisheshin.
Sipas një vlerësimi paraprak të bërë nga ana e Ministrisë së Mbrojtjes, kërkuar nga prokuroria për nevojat e hetimit, rezulton se dëmi financiar nga këto veprime të kundraligjshme ka vlerën e 6 milionë lekëve.
Por për gjeneral Gjokën, kjo nuk është akuza e parë e ngritur. Dy padi me radhë janë depozituar në Prokurorinë e rrethit Tiranë dhe nuk janë regjistruar nga ky organ i akuzës.
Paditë janë bërë nga Ministria e Mbrojtjes në katër muajt e fundit. Me vendim të Prokurorisë së Përgjithshme, të dyja dosjet e depozituara në këtë organ janë rihapur dhe janë nën hetim. Akuzat e ngritura për të në Prokurorinë e Tiranës janë ato të vjedhjes, si edhe vjedhjes nëpërmjet falsifikimit të dokumenteve.
Ministrja Kodheli pas depozitimit të këtyre padive në prokurori më datë 10 shkurt të këtij viti, i ka propozuar presidentit të Republikës nxjerrjen e tij në lirim.
Top Channel