Ushtria, bllokon pistën në Lumalas

14/05/2014 00:00

Forcat e Armatosura të vendit kanë bllokuar paraditen e së mërkurës, duke vendosur blloqe betoni, fushën e aviacionit në Lumalas.

Lajmi konfirmohet nga burime zyrtare, sipas të cilave trupat ushtarake kanë ndaluar gjithashtu rreptësisht hyrjen e personave apo mjeteve në këtë fushë.

Më herët gjatë muajit repartet xheniere të ushtrisë nisën bllokimin me blloqe betoni të pistës së aeroporit të Gjadrit, duke e bërë atë tërësisht të papërdorshme për çdo tip avioni.

Bllokimi erdhi pas një seri akuzash dhe debatesh për përdorimin e kësaj piste nga avionë që transportojnë lëndë narkotike. Aksioni përfundoi ditën e martë dhe u mbikëqyr nga Shtabi i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura.

Njëkohësisht me betonizimin e pistës u bë edhe shkatërrimi i disa ndërtimeve dhe kasolleve në anë të saj, të përdorura nga banorët e zonës.

Gjadri, edhe pse jashtë çdo funksioni ushtarak është ende pronë e ushtrisë shqiptare. I gjithë aeroporti dhe toka përreth kanë një sipërfaqe prej 1.2 milionë metër/katrorë.

Herën e fundit ai është përdorur nga ushtria për operacionet e emergjencës civile në zonat e përmbytura në veri të vendit.

Top Channel