“Të ndërtojmë Europën në Shqipëri”

13/05/2014 00:00

“Kreisky Forum” në Vjenë organizoi një takim mbi Shqipërinë dhe Ballkanin, në fokusin e perspektivës europiane, ku ishte i ftuar të referonte edhe kryemimistri Edi Rama.

Integrimi europian, tha Rama, është qëllimi më madhor i Shqipërisë dhe se qeveria shqiptare e sheh atë në radhë të parë, si procesi i ndërtimit të Europës brenda vendit.

“Integrimi europian në vetvete është për vende si Shqipëria dhe për vende si tonat është më i rëndësishëm se anëtarësimi, sepse është i vetmi instrument i modernizimit real dhe i ndryshimit real. Për qeverinë tonë, rrugëtimi drejt Bashkimit Europian është një rrugëtim drejt prosperitetit në paqes, liri dhe dinjitet. Unë shpresoj që ndërkohë që Shqipëria vazhdon rrugëtimin e saj të brendshëm të zhvillimit dhe transformimit dhe Austria të vazhdojë të jetë krah nesh, të jetë gjithnjë e më pranë nesh për të na shtyrë drejt drejtimit të duhur duke na ndihmuar në drejtimet ku duhet të ecim më shpejt”, deklaroi Rama.

Krahas proceseve integruese, Rama theksoi se rilindja e imazhit të Shqipërisë është një tjetër sfidë. “Ne kemi shumë për të ofruar, por ne e dimë gjithashtu se kemi shumë për të ndryshuar perceptimet negative dhe ne do të bëjmë më të mirën tonën për t’ia arritur kësaj”, u shpreh Rama.

Kryeministri foli gjithashtu për përpjekjet e forta të qeverisë për formalizimin e sektorëve informalë të ekonomisë,  për reformën në sistemin e taksimit, për të siguruar rritje ekonomike që bazohet në drejtësinë sociale dhe reformat rrënjësore në sektorë të ndryshëm të ekonomisë.

Top Channel