Këshilli i Ministrave të jashtëm të BE-së diskutoi fillimisht zhvillimet në Ukrainë dhe vendosi për fazën e dytë të sanksioneve ndaj Rusisë.
Më pas, kryediplomatët europianë shqyrtuan procesin në Lindjen e Mesme dhe gjatë drekës biseduan mbi politikën e fqinjësisë.
28 vendet anëtare miratojnë dhe udhëzuesin e parë mbi të drejtat e njeriut për lirinë e shprehjes në BE, përpara mbajtjes së Këshillit të 6-të SA me Shqipërinë. Zyrtarisht, takimi nis pas orës 17:00, dhe sipas agjendës parashikohet të zgjasë rreth 2 orë.
Kjo shënon mbledhjen e parë me qeverinë e re pas zgjedhjeve të qershorit 2013 dhe pala europiane përfaqësohet me nivelin e komisionerit për zgjerim Fyle dhe të zëvendëskryeministrit Venizelos, njëkohësisht ministër i Jashtëm i Greqisë, vendi që mban presidencën e Unionit deri në 1 Korrik.
Delegacioni shqiptar kryesohet nga ministrat Bushati dhe Gjosha dhe përbëhet nga 11 zyrtarë, mes të cilëve dhe përfaqësuesja e opozitës Majlinda Bregu, në cilësinë e kryetares së komisionit parlamentar të integrimit.
Mbledhja e parë mbahet me përfaqësimin e plotë të të dy palëve, gjatë së cilës paraqitet qëndrimi i përbashkët i 28 vendeve anëtare dhe pozicioni i Tiranës, për të vijuar më pas me formatin e kufizuar, ku niveli më i lartë i dy delegacioneve bisedon në mënyrë informale për çështje të ndjeshme në interes të përbashkët.
Sipas dokumentit konfidencial të BE-së, publikuar në TCH , fokusi qëndron tek dialogu politik, pavarësia e institucioneve, administrata publike, sundimi i ligjit, gjyqësori dhe lufta ndaj korrupsionit, krimit të organizuar e trafiqeve.
Në prag të vendimmarrjes për dhënien e statusit të vendit kandidat, tonet pozitive të BE-së vërehen për angazhimet e ndërmarra nga qeveria dhe ndryshimet ligjore të miratuara nga Kuvendi deri më tani, por përsëritet nevoja e zbatimit të tyre në terren.
Në kuadër të Këshillit të SA, ministrat shqiptarë zhvillojnë dhe takime bilaterale me homologët e tyre europianë, në përpjekje për të bindur ato vende anëtare që mbajnë ende qëndrim hezitues për vendimin e qershorit. Të martën, delegacioni shqiptar raporton në një konferencë të posaçme mbi zbatimin e reformave dhe sundimin e ligjit në vend si dhe merr pjesë në sesionin plenar të Këshillit të nismës Adriatiko-Joniane.
Top Channel