Uniforma për personelin mjekësor

12/05/2014 00:00

Pacientët apo të afërmit e tyre tanimë mund të dallojnë qartë nga njëri-tjetri mjekun, infermierin, personelin sanitar apo ndihmësin, duke mos u bërë konfuzë kur duan të komunikojnë me ta.

Drejtoria e QSUT-së ka mundësuar uniforma me ngjyra të veçanta për të gjithë ata që ofrojnë shërbim shëndetësor në qendrën më të madhe spitalore.

Në Ditën ndërkombëtare të infermierisë, drejtorja e QSUT, Ogerta Manastilriu theksoi se përveç rritjes së cilësisë së shërbimit, një tjetër prioritet do të jetë përmirësimi i imazhit dhe etika e komunikimit me pacientin.

“Plani i rimëkëmbjes së QSUT mbështetet në ndryshimin e imazhit dhe kulturës së shërbimit mjekësor. Standardi i uniformave përcakton imazhin ndryshe. Por në QSUT standardi dhe ndryshimi nuk do të jetë vetëm në imazh, por radikal, duke ofruar shërbimin më cilësor për pacientin”, deklaroi Manastirliu.

Ndërsa ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqja vlerësoi rolin e infermierëve në shërbimin shëndetësor, ndaj shprehu dhe mbështetjen e qeverisë duke vënë si fillim në dukje shtimin e një page neto për shkak të taksimit të ndershëm.

“Ju jeni punonjësit e shëndetit që jeni në kontakt më direkt me të sëmurët se doktorët. Prandaj unë sjell tek ju përfitimet nga vendosja e taksës së ndershme. Masat tona do kontribuojnë për një shërbim me standard më të lartë”, tha Beqja.

Në ditën e infermierisë u vlerësuan dhe disa infermierë për ofrimin e një shërbimi cilësor të ndarë sipas shërbimeve dhe pavioneve të ndryshme.

Top Channel