“Kriza dhe borxhet rrënuan ekonominë”

12/05/2014 00:00

Në dokumentin e përbashkët të 27 vendeve të BE-së, i cili i parapriu takimit të gjashtë mes Unionit dhe Shqipërisë, merret në analizë edhe ekonomia.

Dokumenti vëren se kriza globale, rënia e remitancave dhe borxhet e mëdha të qeverisë ndaj biznesit ndikuan në rënien e fortë të ekonomisë shqiptare, e cila vazhdon të ketë një rritje minimale prej 0.7% në fund të 2013. Në dokument theksohet rritja e borxhit publik dhe thellimi i defiçitit buxhetor.

“Pasiguritë lidhur me zgjedhjet e 2013, remitancat e ulta, niveli i lartë i borxheve të papaguara dhe kredive problematike dhe ngadalësimi i rritjes së kredisë ndikuan më shumë negativisht rritjen ekonomike”, thotë dokumenti.

BE vëren se mbetet i papërshtashëm investimi në kapitalin njerëzor dhe në infrastrukturë. Përpara qëndrojnë sfidat për shtrirjen e gjerë të sektorit informal me tatim të paqartë dhe për mbledhjen e ulët të taksave.

Vlerësohet mbështetja financiare e FMN-së për konsolidimin fiskal, angazhimi i qeverisë për shlyerjen e detyrimeve të prapambetura ndaj kontraktuesve, strategjia e punësimit 2014-2020 dhe dorëzimi i programit ekonomiko-fiskal për dy vitet e ardhshme.

“Sidoqoftë, BE vëren defiçitin buxhetor në rritje dhe një shtim të mëtejshëm të borxhit publik relativisht të lartë që vijon të tregojë anësim afatshkurtër. BE nënvizon se vazhdimësia e deficitit të lartë të llogarisë korente mbetet një burim dobësie dhe se megjithë përmirësimin e lehtë të tregut të punës, papunësia vazhdon të jetë e lartë”, vijon dokumenti.

IPA 2014 është një prioritet për Brukselin, që vlerëson angazhimin e autoriteteve shqiptare për t’u përgatitur për IPA II. Bashkëpunimi financiar vlerësohet përgjithësisht i kënaqshëm, por në dokument përmenden pengesat që hasen për zbatimin e programeve të asistencës.

“BE vëren se në disa raste ka patur mungesë progresi për të zgjidhur problemet themelore sistematike që dëmtojnë efikasitetin dhe qëndrueshmërinë e asistencës së BE-së. Këto probleme përfshijnë burime njerëzore të pamjaftueshme për të menaxhuar aktivitetet, mungesë koordinimi mes palëve të ndryshme, në veçanti mes nivelit shtetëror dhe qeverisë lokale, parregullësitë përsa i takon planifikimit dhe angazhimit të një vendi, si për shpenzimet operacionale dhe të mirëmbajtjes, si dhe paqartësia mbi të drejtën e pronës. BE thekson se këto probleme janë përcaktuar qartë dhe janë diskutuar, ndaj i bën thirrje Shqipërisë të veprojë urgjentisht për trajtimin e tyre“, thotë dokumenti.

Pjesa e tretë e dokumentit konfidencial trajton përshtatjen e legjislacionit vendas me praktikat europiane. Progresi vlerësohet në fushat e prokurimit publik, satistikave, drejtësisë, lirisë dhe sigurisë, arsimit e bashkimit doganor, ndërsa nevojiten përpjekje të veçanta për energjinë, mjedisin, ndryshimet klimatike, politikën sociale dhe punësimin, si dhe për të drejtat e autorit, ku Shqipëria nuk përmbush angazhimet e marra prej 4 vjetësh.

“BE kujton se Shqipëria nuk ka plotësuar ende angazhimin e saj të MSAsë për të garantuar nga 1 Dhjetor 2010 një nivel të mbrojtjes së të drejtave të pronësisë intelektuale dhe industriale të ngjashëm me atë të Besë, përfshirë zbatimin efektiv, dhe inkurajon Shqipërinë të rrisë përpjekjet e saj në mënyrë që të trajtojë deficencat madhore që mbeten në këtë sektor duke penguar zbatimin në përgjithësi”, thuhet më tej në raport.

Qëndrimi i përbashkët konfidencial përsërit se marrëveshja bilaterale me SHBA-të për mosdorëzimin nuk është në përputhje me parimet e BE-së.

Delegacionit shqipëtar do t’i përcillen të gjitha shqetësimet e vendeve anëtare gjatë takimit vjetor që mbahet me dyer të mbyllura në selinë e Këshillit dhe vetëm një pjesë e tyre do të bëhet publike në deklaratën e përbashkët në përfundim të sesionit me përfaqësim të kufizuar mes dy palëve.

Top Channel