Ministrja e Mbrojtjes, Mimi Kodheli dhe shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, gjeneral-major Jeronim Bazo zhvilluan një vizitë 24 orëshe në Afganistan për t’u takuar me trupat tona në terren, si dhe me drejtuesit e lartë të ISAF.
Gjatë takimeve me komandantin e ISAF, gjeneral Josefph F. Dunford, me ambasadorin e NATO-s në Afganistan, Maurits R. Jochems dhe numrin dy të Komandës Rajonale të Jugut, nën të cilën veprojnë trupat speciale shqiptare në rajonin e Kandaharit, ministrja Kodheli dhe gjeneral-major Bazo diskutuan për problematikën e tranzicionit të misionit ISAF pas vitit 2014, për aspektet operacionale aktuale, për kontributin që japin Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë në këtë operacion dhe perspektivën e kontributit të FA-ve në periudhën post-ISAF.
Në këtë kuadër, zonja Kodheli edhe një herë rikonfirmoi angazhimin e qeverisë shqiptare për të mbështetur vendimin e Aleancës. Gjatë takimeve me trupat tona, Kodheli i informoi ushtarakët tanë për reformimin që po i bëhet Forcave të Armatosura, për punën në drejtim të përmirësimit të kuadrit ligjor, që synon rikthimin e dinjitetit të ushtrisë, në përputhje me standardet e NATO-s.
Ministrja Kodheli falenderoi trupat tona për përkushtimin me të cilin po bëjnë detyrën e tyre tejet të vështirë. “Çka ata bëjnë sot është në nder jo vetëm të FA por Shqipërisë dhe shqiptarëve kudo që janë. Këtë mesazh jam munduar t’ua përçoj forcave tona speciale, për t’u dhënë atyre një mesazh më shumë. FA në detyrimin e tyre kushtetues dhe ligjor janë nderi i Shqipërisë”, deklaroi Kodheli.
Ndërsa shefi i Shtabit të Përgjithshëm, gjeneral-major Jeronim Bazo vlerësoi pozicionimin cilësor të trupave tona në Afganistan. “Në vizitën time të mëparshme ne nuk shërbenim në ekipin këshillues të ushtrisë afgane, ndërsa sot këshillojmë një shtab të saj. Po bëjmë trajnimin sa më të mirë të forcave të sigurisë afgane, që së shpejti do të marrin në dorë sigurinë e këtij vendi”, tha Bazo.
Delegacioni i Ministrisë së Mbrojtjes kaloi edhe kohën e lirë me përfaqësues të trupave tona, si dhe në fund të vizitës vendosën një kurorë me lule në shenjë nderimi për të gjithë të rënët në këtë luftë të gjatë, mes të cilëve edhe dëshmorin kapiten Feti Vogli.
Top Channel