Rama në Panairin e Librit në Torino

11/05/2014 00:00

Në Torino është duke u zhvilluar Panairi Ndërkombëtar i Librit, të cilin e ka vizituar Kryeministri Edi Rama, i cili pohoi se prania  e Shqipërisë është  një mundësi e rëndësishme për të thelluar njohjen dhe zgjeruar kontaktet mes dy kulturave.

“Është kënaqësi e veçantë që para kësaj stende mund më në fund të gjesh guidën e vetme në italisht të Tiranës dhe Shqipërisë, një punë e përbashkët e një shqiptari dhe një italiani. Një kënaqësi të dëgjosh edhe fjalët e presidenti të Panairit dhe të të tjerëve, për  këtë nevojë për të vazhduar për të punuar së bashku dhe për të zgjeruar bashkëpunim mes nesh në mënyrë që letërsia dhe kultura shqiptare të njihet edhe më shumë e të jetë edhe më shumë e arritshme në Itali dhe anasjelltas”, u shpreh Rama.

Kryeministri Edi Rama gjatë panairit zhvilloi një takim me kryetarin e Bashkisë së Torinos, Piero Fassino. Pas takimit me Fassino, njëherësh edhe një nga politikanët e lartë të Partisë Demokratike Italiane, Kryeministri Rama u drejtoi një thirrje publike shqiptarëve në Itali të bëhen pjesë e të kontribuojnë në procesin europian të zgjedhjeve për Parlamentin Europian.

“Jo vetëm Shqipëria ka nevojë për Europën, por edhe Europa sot ka nevojë për shqiptarët e Italisë. Shqiptarët e Italisë duhet vërtet të mos e lënë t’u ikë kjo mundësi që kanë për të votuar në zgjedhjet evropiane. Dhe, pa asnjë dyshim, të votoni për Partinë Demokratike Italiane që është e vetmja forcë e madhe, e re, e këtij vendi që ka nevojë për energjinë dhe kurajën e Matteo Renzi-t”, deklaroi Kryeministri Rama.

Duhet ta kapim këtë mundësi – tha Rama – për të kontribuar si shqiptarë në këtë proces, edhe duke marrë pjesë në zgjedhjet europiane në Itali.

Top Channel