Autoriteti Kombëtar i Ushqimit ka ndërmarrë një aksion inspektimi në Luz të Kavajës.
Gjatë kontrolleve, ku ishte i pranishëm edhe ministri Panariti, është sekuestruar një sasi e konsiderueshme produktesh për mbrojtjen e bimëve, të pacertifikuara, që shiteshin nga persona të paautorizuar si pesticide dhe insekticide.
Ministri i Bujqësisë konsideroi të një rrezikshmërie të lartë shitjen pa kriter të këtyre produkteve për kërcënimin që i bëjnë ndotjes potenciale të zonës apo përdorimi i tyre mbi parametrat e lejuar tek produktet bujqësore.
Ai tha se ndëshkimi me gjobë nuk është i mjaftueshëm pasi tregtimi i insekticideve tha Panariti është i barazvlefshëm me armët apo me kërcënime të tjera.
Ministri i bëri thirrje fermerëve që të blejnë tek farmacitë e certifikuara, pasi do të kenë produkte të kontrolluara nga organet shtetërore dhe do të kenë mundësi që të përfitojnë edhe asistencë se si duhen përdorur këto produkte.
Panariti bisedoi edhe me punonjës të Policisë së Shtetit dhe kërkoi edhe bashkëpunimin e uniformave blu për kontrollin dhe marrjen e të gjitha masave për parandalimin e tregtimit të produkteve të mbrojtjes bujqësore të pacertifikuara.
Top Channel