Nga dogana e Qafë Thanës, ministri i Bujqësisë ka zbuluar masën e parë lehtësuese që do të ketë paketa nxitëse për sektorin bujqësor. Edmond Panariti tha se kamionët që transportojnë artikujt bujqësorë do të kenë sportel të dedikuar.
“Që malli të shkojë sa më shpejt në destinacion, kjo është thelbësore për prodhimet bujqësore, sepse prishen lehtë. Ne sot shpallëm korsinë e gjelbër, ku mallrat bujqësore do të lëvizin, sipas modelit evropian”, deklaroi Panariti.
Zoti Panariti ishte për inspektim në Qafë Thanë bashkë me drejtoreshën e përgjithshme të Doganave, Elisa Spiropali, e cila tha se me këtë vendim eksportuesit e produkteve bujqësore nuk do të kenë më radhë në dogana.
“Të mundësojmë këtë vijë të gjelbër, që lehtëson kalimin e produkteve bujqësore e që bën që proçedurat e tregtarëve të jenë më të lehtësuara”, tha nga ana e saj Spiropali.
Dogana e Qafë Thanës është më e rëndësishmja në rajonin juglindor për shkëmbimet tregtarë, ndërsa vlerësohet edhe për një infrastrukturë të favorshme për eksportin dhe importin.
Top Channel