Akuzat e Thimios, replika PD-PS

10/05/2014 00:00

Partia Demokratike i ka kërkuar sërish sot prokurorisë të nisë hetimet
për akuzat e Gjergji Thimios në sallën e gjyqit që po zhvillohet ndaj
tij.

Në një deklaratë për mediat nga selia blu, deputeti demokrat, Aldo Bumçi ka kërkuar nga kryeministri Edi Rama të mbajë qëndrim për akuzat e ngritura ndaj tij dhe dy deputetëve të Partisë Socialiste, Koço Kokëdhima dhe Artan Lame, pasi sipas tij deri më sot nuk ka denjuar t’u japë asnjë përgjigje qytetarëve shqiptarë.

“Ende sot nuk ka një sqarim zyrtar se çka ndodhur me këtë inventar si dhe numrin e veprave të sekustruar, numër i cili ka ndryshuar vazhdimisht. Partia Demokratike i kërkon Prokurorisë të nisë menjëherë hetimet për këtë akuzë të Gjergji Thimios dhe të hetojë dëshminë e dhënë përpara trupit gjyqësor. Prokuroria duhet të shqyrtojë këtë dëshmi dhe të hedhë dritë mbi këto akuza. Këto akuza meritojnë një përgjigje nga Prokuroria dhe drejtësia shqiptare në një kohë që Edi Rama dhe mentorët e tij nuk denjojnë as të japin përgjigje për qytetarët shqiptarë”, tha Bumçi.

PS: Opozita baltos edhe Tony Blair
PD kapet pas përallave të trafikantit që do t’i shpëtojë ndëshkimit

Pas akuzave të PD reagoi Partia Socialiste, e cila akuzoi opozitën se, nuk kurseu as ish-kryeministrin britanik Tony Blair. Deputetja Blerina Gjylameti deklaroi se, PD është kapur pas përallave të trafikantit që kërkon t’i shpëtojë ndëshkimit.

“Që opozita nuk e kurseu as ish kryeministrin britanik, mikun e shqiptarëve dhe Kosovës, Tony Blair, për të hedhur baltë mbi qeverinë, këtë e pamë që disa ditë më parë.

Por që baltosja e ish kryeministrit britanik do të dilte edhe nga goja e një ish ministri të jashtëm si Aldo Bumci, është edhe më e rëndë.

Trafikanti i veprave të artit tenton t’i shpëtojë ndëshkimit duke treguar përralla. Opozita, kapet pas përrallave të trafikantit, njësoj si një i mbytur që kapet pas fijes së barit me shpresën se mund të shpëtojë.

Mazhoranca shpreh vetëm keqardhje, për trafikantin që tregon përralla dhe për opozitën që bashkohet me trafikantin”, deklaroi Gjylameti. 

Top Channel