Ministri i Bujqësisë, Edmond Panariti ftoi fermerët të aplikojnë për të përfituar vulën e cilësisë, përmes së cilës synohet krijimi i markave të para të produkteve shqiptare.
Gjatë një vizite në një fermë të ngritur sipas standardeve bashkëkohore, ministri Panariti tha se kriteri për të përfituar vulën e cilësisë është kryerja e të gjithë ciklit të prodhimit deri në produktin final brenda vendit dhe me cilësi të lartë.
“Vula e cilësisë është çertifikuesja e origjinës së kontrolluar, e një rajoni gjeografik të përcaktuar që përbën bazën e krijimit të produkteve të markës shqiptare. S’mund të marrësh vulën e cilësisë me produkt të Maqedonisë. Ka raste të importit të rushit nga Maqedonia me të cilin bëhet vera. Por ajo nuk është verë shqiptare. Prioritet do t’i kushtohet produkteve tipike shqiptare”, deklaroi Panariti.
Ministri i Bujqësisë tha se produktet që do të vulosen “Made in Albania” do t’i nënshtrohen kontrollit në vazhdimësi, çka do të shërbejë për rinovimin apo jo të vulës së cilësisë.
“Nuk jepet njëherë e përgjithmonë, por çdo vit i nënshtrohet rinovimit. Nëse subjekti u shmanget standardeve, natyrisht nuk e përfiton më”, theksoi Panariti.
Çertifikimi me vulën e cilësisë do të nisë me produktet e verës, mjaltit dhe vajit të ullirit, për t’u shtrirë më pas edhe në produkte të tjera.
Top Channel