Tapitë sipas ligjit 7501

08/05/2014 00:00

Në një intervistë për “Revistën Televizive të Mbrëmjes”, zëvendësministri i Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave, Jani Babi shpjegon procesin e marrjes së certifikatave të pronësisë për tokat bujqësore.

Ai thekson se pavarësisht pretendimeve të ish-pronarëve ligji 7501 nuk ndryshon dhe se ata do të kompensohen në zona të tjera.

Zoti Jani Babi bën të ditur se nga procesi i dhënies së certifikatave të pronësisë përfitojnë rreth 450 mijë familje.

TCH: Këto ditë ka nisur të zbatohet një nga nismat më të rëndësishme të qeverisë ajo e dhënies së titujve të pronësisë për fermerët dhe tokat bujqësore. Për shkak se ky akt është zgjatur ndër vite, a mund të na thoni si ka nisur dhe cila ka qenë ecuria e këtij procesi?

Jani Babi: Kjo nuk është nismë e dhënies së titujve të pronësisë, por e certifikatave të pronësisë. Mbi 90% e fermerëve e kanë marrë tapinë. Kurse certifikata e pronësisë ka dallim nga tapia, certifikata e pronësisë e bënë më të fortë fermerin. Ligji 7501 ka qenë një proces shumë i gjatë, që është i njëjtë me reformën agrare, ky ligj nuk kontestohet, por shkon drejt një finalizimi. Nëpërmjet këtij ligji fermerët kanë marrë tapinë dhe ne sot shkojmë drejt finalizimit për t’i dhënë fermerit certifikatën e pronësisë. Kjo është një iniciativë e qeverisë dhe e Kryeministrit të Shqipërisë. Nëse fermeri pajiset me certifikatën e pronësisë ka shumë përfitime. Duke marrë certifikatën mund të bëhen transaksione me tokën, gjithashtu mund të përfitojë edhe subvencionime nga shteti.

TCH: Dokumenti i certifikatës së pronësisë a mbyll plotësisht dhënien e titujve të tokave bujqësore.  

Jani Babi: Po, dhënia e certifikatës shënon finalizimin e procesit. Kjo ka edhe avantazhet e saj, pasi fermerët kanë parcela të vogla toke dhe me marrjen e certifikatave ata mund të bashkohen dhe të krijojnë ferma më të mëdha, të cilat sjellin rritje të prodhimit dhe ulje të kostove. Marrja e certifikatave do të shuante edhe kontradiktat mes fermerëve për pretendimet e sipërfaqeve të tokës nga 2 persona, pra kjo zgjidh një herë e mirë këtë problematikë që ka bujqësia jonë.

TCH: Sa janë përfituesit e këtij dokumenti dhe çfarë të mirash ka sjellë ky proces?  

Jani Babi: Në të gjithë Shqipërinë kanë përfituar rreth 450 mijë familje. Ky dokument merret nga të gjithë ata që kanë përfituar titullin e pronësisë. Edhe duke pasur tapinë fermeri është pronar i sipërfaqes së tokës, por ai me të nuk mund të kryej transaksione.

TCH: Gjatë këtyre viteve kemi pasur probleme edhe me tokat e ish ndërmarrjeve bujqësore. Po për këto toka do të ndiqet i njëjti proces?

Jani Babi: Në këtë rast është ndjekur një problematik tjetër për ndarjen e tokës. Nga viti 1991 deri në 95-ën tokat e ish-Ndërmarrjeve Bujqësore janë dhënë në përdorim dhe jo në pronësi. Pas këtij viti edhe këto toka kanë filluar të jepeshin në pronësi, por jo të gjitha, ato që ishin zona turistike nuk jepeshin në pronësi.

TCH: Po në rastet kur toka bujqësore e përfituar me ligjin 7501 ka pretendime nga ish-pronarët çfarë procedurash do të ndiqen?

 Jani Babi: Nuk do të ketë më rishikime të këtij ligji. Pronarët që kanë pronë në këto toka do të kompensohen në vend tjetër.

Top Channel