Me axhendë kryesore çështjen kyçe të integrimit europian të vendeve të rajonit si dhe përforcimin e lidhjeve të tyre në sektorët e Transportit dhe Energjisë ka zhvilluar punimet në Selanik konferenca e Ministrave të Jashtëm të 28 shteteve anëtare të Bashkimit Europian dhe të vendeve të Ballkanit Perëndimor,në kuadër të presidencës greke.
Ministriali është drejtuar nga Zv/kryeministri dhe Ministri i Jashtëm i Greqisë Evangjelos Venizelos, ndërsa Shqipëria është përfaqësuar nga Ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati.
“Ky takim është një shans i shkëlqyer në mënyrë që të rinovojmë dhe të nënvizojmë më shumë premtimin tonë dhe dëshirën tonë për vizionin euro-atlantik të gjithë rajonit të Ballkanit Perëndimor”, deklaroi Evagjelos Venizellos, Ministër i Jashtëm i Greqisë.
“U përpoqëm të piketonim disa fusha të rëndësishme bashkëpunimi që kanë një vlerë praktike për të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor, sidomos në sundimin e së drejtës, në ekonomi, në energji, transport që rajoni i Ballkanit Perëndimor të bëhet më i lidhur dhe të fillojë të bëhet dhe të konsiderohet si një rajon sa i përket shkëmbimeve dhe përmes bashkëpunimit rajonal të zhvillohet gjithashtu në mënyrë paralele integrimi i plotë në rrjedhat europiane”, tha Ditmir Bushati, Ministër i Jashtëm i Shqipërisë.
I pyetur nga Top Channel për takimin e drejtpërdrejtë që ka pasur pas konferencës me shefin e diplomacisë greke Venizellos, sidomos për cështjen aq jetike të toponimeve në pasaportat dhe çertifikatat e emigrantëve dhe fëmijëve të tyre që kanë lindur në Greqi, Ministri Bushati është përgjigjur:
“Jemi duke diskutuar për mënyrën si do të adresojmë cështjen e toponimeve që sic e kemi thënë është një cështje e karakterit teknik. Duam që të adresojmë zgjidhjen e saj përmes rregullave të së drejtës ndërkombëtare. Besoj që jemi në një rrugë të mbarë dhe shpresoj që shpejt të kemi lajme pozitive që do të kenë një rëndësi praktike për qytetarët shqiptarë, sidomos për ata që banojnë në Greqi”, tha Bushati.
Ashtu sic ishte deklaruar nga liderët e BE 11 vjet më parë në Samitin e Selanikut dhe Halkidhikisë në vitin 2003, edhe në konferencën e së enjtes është ritheksuar njëzëri se e ardhmja e vendeve të Ballkanit Perëndimor është në Europën e Bashkuar, ndaj dhe duhet më tepër angazhim dhe nxitje në vazhdimësinë e reformave dhe procesit të integrimit.
Në këtë takim është konfirmuar edhe qëllimi për të përdorur deri në 1 mld euro nga Mekanizmi i Ndihmës së para integrimit deri në vitin 2020 për 6 vendet përfituese mids tyre edhe Shqipëria. Shpresohet se përvec kësaj shumë do të mund të investohen kapitale private deri në 10 mld euro për investime në Balkanin Perëndimor për vepra si korridore hekurudhore nga Zagrebi në Athinë, korridorin 8 nga porti i Burgasit në Detin e Zi e deri në Vlorë e Durrës në Shqipëri, si dhe për projektin tashmë të miratuar të gazsjellësit TAP, apo për gazsjellësin tjetër përgjatë brigjeve të Jonit dhe Adriatikut që do lidhë Shqipërinë me Kroacinë.
Top Channel