Plotësimi i vakancave në AMA

08/05/2014 00:00

Komisioni i Medias i hapi më në fund udhën plotësimit të 4 vendeve vakante në AMA, duke përfshirë edhe atë të kryetarit të këtij institucioni.

Pati një periudhë të gjatë debatesh, procesi herë pas here ngeci edhe për shkak të kundërshtimeve të opozitës, por më në fund proceduarat u hapën.

Orët e fundit pati edhe reagime nga kryetari i Grupit Parlamentarë të Partisë Demokratike, Edi Paloka, por edhe nënkryetari i Komisionit të Medias Alfred Peza, i cili ishte i ftuar në “Revistën Televizive të Mbrëmjes”.

Zoti Peza u shpreh se i gjithë ky debat nuk ka qenë as për Bushatin dhe as për kreun e AMA, por për të nxjerrë nga ngërçi këtë institucion, për të cilin deri tani publiku nuk kishte informacion mbi funksionimin e tij.  

Pandi Gjata: Më në fund u hapën procedurat për vendet vakante në AMA. Cilat janë hapat e mëtejshme për 4 anëtarët e rinj të këtij institucioni?

Alfred Peza: Pas vendimit të Komisionit Parlamentar të Medias ka dy momente, ai i anëtarëve, ku bëhet një njoftim në faqen zyrtare të Parlamentit dhe për kryetaren duhet ta hapi Parlamenti ose me vendim të kryetarit të Parlamentit, i cili mund të njoftojë në seancë dhe më pas shpallja në faqen zyrtare të Parlamentit. Duke u bërë njoftimi në faqen e Parlamentit i jepet mundësia të gjithë atyre që synojnë një nga 4 vendet vakante. Më pas është Komisioni Parlamentar i Medias që bënë përzgjedhjen paraprake dhe në fund do të jetë votimi në seancën e Parlamentit.

Pandi Gjata: Këto proceduara sa kohë mund të zgjasin?  

Alfred Peza: Të paktë një muaj për të ftuar kandidaturat e reja dhe më pas proceduarat e tjera.

Pandi Gjata: Pas vendimit të mazhorancës kemi një reagim nga ana e opozitës. Zoti Paloka e quajti shkarkim politik atë të zonjës Bushati.

Alfred Peza: Çështja e AMA është debatuar prej disa javësh, ka qenë një çështje në fokusin e opinionit publik, por edhe në vëmendjen e Parlamentit. Kjo çështje mund të përfundonte shumë më shpejt, por çdo e keqe e ka një të mirë sepse kjo çështje është vendosur në fokusin e duhur të opinionit publik, i cili mund të kuptonte rëndësinë e këtij institucioni. Sa më shumë të forcohet shteti ligjor aq më shumë rritet rëndësia e këtyre institucioneve rregullatore. Me sa duket jemi në momentin kur AMA bashkë me debatin që po bëhet, po rritet vëmendja e opinionit publik dhe jam i bindur që kjo do të bëjë që ky institucion ta luajë më mirë rolin e tij që i takon. AMA ka qenë një institucion në hije që askush nuk kishte informacion se si funksiononte. Janë momente të tilla që i japin vlerë institucioneve dhe ne duhet të vazhdojmë t’i rrisim këto vlera. Në radhë të para transparenca e këtij institucioni dhe së dyti të rritet presioni pozitiv mbi anëtarët e këtij komisioni, në mënyrë që i gjithë spektri i punës së operatorëve radiotelevizivë të futet brenda shtatit të duhur ligjor për të zbatuar rregullat dhe lojën pa dy standarde. E gjitha ajo që ky institucion kontrollon ka të bëjë me opinionin publik, i cili është konsumatori i produkteve mediatike. Bashkë me vakancat ky institucion ka edhe disa detyra shumë të rëndësishme, nga detyrimet që duhet të plotësojë Shqipëria në procesin e integrimit është procesi i dixhitalizimit dhe i kalimit të transmetimit nga ato analoge në ato numerike. Në 17 Qershorin e vitit të ardhshëm nuk do të ketë më transmetim analog dhe do të fillojë një epokë e re e transmetimeve në Shqipëria, e cila është ajo dixhitale. Të gjitha këto ndryshime do t’i shërbejnë qytetarit, i cili do të marri produkte me një cilësi më të mirë dhe me kosto më të lirë.

Pandi Gjata: Në këtë situatë që jemi, pas këtyre përplasjeve, a do të arrihet ajo që duhet për të reformuar këtë institucion në këtë lojë politike?  

Alfred Peza: Duke qenë një institucion kaq i rëndësishëm dhe në një farë mënyre menaxhohen edhe shumë interesa. Duhet të kuptohet se e gjithë kjo që po ndodh është një kërkesë teknike, ligjore dhe proceduriale. Aty janë krijuar 4 vakanca, e cila është thjeshtësisht e verifikueshme, pasi mjafton t’i referohet raportit që unë kam përgatitur si përfaqësues i mazhorancës, për të kuptuar që këto vakanca janë çështje të thjeshta teknike dhe ligjore, me afate të përcaktuara nga ligji dhe jo nga ne. Kjo nuk ka qenë një luftë as për Bushatin dhe as për kryetarin e këtij institucioni, kjo ishte një luftë për ta nxjerrë AMA-n nga ngërçi dhe për ta futur në një shtrat ligjor. Gjatë vitit 2013 AMA, sipas raporteve të institucioneve të specializuara, nga muaji Prill dhe deri në fund të Dhjetorit ka realizuar 13 mbledhje të paligjshme, cila vjen si pasojë e këtyre vakancave. Edhe dje u tentuar të organizohej një mbledhje, e cila për fat të atyre që e thirrën nuk u zhvillua. Paligjshmëri do të thellohej ndjeshëm, kur një ditë më përpara ne si komision vendosëm me shumicën e votave që AMA ka 4 vakanca, duke përfshirë edhe kryetarin e këtij institucioni dhe pak orë pas kësaj thërritet përsëri një mbledhje. Ky është një moment për t’i bërë thirrje drejtuesve të këtij institucioni, por edhe palëve politike që të kuptojnë që kauzat politike nuk janë kauza emrash. Opozita është mirëpritur të vijë dhe të thotë si do ta bëjmë më mirë që ky institucion rregullator të funksionojë që të mos kemi më vjedhje të transmetimeve dhe të programeve të cilat nuk janë të blera. Vetëm nëpërmjet të legalitetit ne do të arrimë të respektojmë pronën e intelektualit dhe punën e atyre njerëzve. Vetëm në këtë mënyrë ne do të hedhim hapin e madh të fusim legalitetin në këtë fushë dhe asnjë vend që është sot anëtar i BE, Ku ne të gjithë synojmë, nuk ka qenë pjesë e Europës së bashkuar për aq koha sa nuk ka zgjidhur më përpara pronësinë intelektuale.

Top Channel