Ish të përndjekurit ndërpresin grevën

08/05/2014 00:00

Ish të përndjekurit politikë, të cilët pas protestës së sotme para
parlamentit nisën një grevë urie 24 orëshe për të sensibilizuar qeverinë
për të drejtat e tyre, vendosën t’i jepnin fund vetëm pak orë më vonë
nismës së tyre pasi siç u shprehën ajo u politizua.

Shkak i këtij vendimi nga ana e ish të përndjekurve ishte fakti se deputetja e PD, Mesila Doda, pasi mbajti fjalën e saj në Kuvend, ku po zhvillohet seanca plenare, u afrua tek grevistët duke deklaruar se PD mbështet kërkesat e tyre.

Kjo solli reagimin e ashpër të disa të përndjekurve, të cilët duke iu drejtuar deputetes demokrate i kujtuan asaj se për sa vjet PD ishte në qeveri nuk bëri asgjë për këtë shtresë, duke sjellë në vëmendje edhe grevën e urisë së një viti më parë që përfundoi në mënyrë tragjike për Lirak Bejkon, i cili u vetëdogj në shenjë proteste ndaj shurdhërisë së qeverisë së djathtë.

Top Channel