Një emigrant shqiptar është kërcënuar prej policisë greke, pas denoncimit që ai ka bërë ndaj një polici, që i helmoi qentë.
Ngjarja ka ndodhur në fshatin Asimofori të Igumenicës, e tashmë ka filluar të shkaktojë reagime të ashpra në lokalitetin e vogël, pranë kufirit me Shqipërinë.
Protagonist i ngjarjes së pazakontë është një bari nga Shqipëria, Ardjan Hasani, nga fshati Janjar i Sarandës. Pasditen e së enjtes, Hasani denoncoi një efektiv të policisë kufitare greke se i helmoi qentë që kishte në banesën e tij.
Dëshmitarë të ngjarjes, ishin dy fëmijët e mitur të familjes, të cilët kanë përjetuar të shokuar skenën. Ata denocuan se panë policin me uniformë të hidhte mish të helmuar qenve dhe, kur i kërkuan që të mos e bënte këtë, ai u largua menjëherë duke i kërcënuar se do t’i vriste nëse tregonin për ngjarjen.
Por, ngjarja nuk ka përfunduar këtu. Sapo familja Hasani ka denoncuar në rajonin e Policise në Filat për ngjarjen, është kërcënuar nga polici i implikuar me iniciale K. Xh., por edhe nga kolegët e tij, duke iu thënë se do të dërgohej në Shqipëri dhe do t’iu hiqej leja e qëndrimit në Greqi.
Banorë të zonës thonë se polici i akuzuar është dyshuar edhe herë të tjera për torturim dhe helmim kafshësh, por në asnjë rast çështja nuk ishte denoncuar në organet kompetente.
Top Channel