Angjelin Preljocaj në skenën e TKOB-it

08/05/2014 00:00

Sipari i Teatrit Kombëtar të Operas dhe Baletit do të hapet më datë 9 maj për dy pjesët premierë të koreografit dhe regjisorit Angjelin Preljocaj.

Ato janë “Royame Uni” dhe “La stravaganza” nën interpretimin e balerinëve vendas dhe atyre të trupes “Preljocaj”, të cilët do t’i interpretojnë dhe në datat 10 dhe 11 maj.

“Është një pjesë e krijuar për katër balerinë. Një punë hibride mes hip hopit dhe stilit tim koreografik. Pjesa tjetër ‘La Stravaganza’ rievokon punën time artistike dhe përvojën e emigracionit. E kam shkruar në vitin 1997 për balerinët e Nju Jorkut”, rrëfen Angjelin Preljocaj.

Gjatë konferencës për shtyp që u mbajt për premierën, koreografi Preljocaj bëri me dije se bashkëpunimi mes TKOB dhe Trupës Preljocaj do të vazhdojë edhe gjatë viteve të ardhshme me shkëmbime përvojash dhe shfaqje të tjera.

Angjelin Preljocaj, koreograf , regjisor: Jam shumë i lumtur që kthehem në vendin tim të origjinës. Shikoj që ka shumë energji dhe kapacitete nga balerinët shqiptarë për të bërë dicka të mirë dhe dëshiroj që të jap edhe unë kontributin tim në përkrahje të këtij entuziazmi. Ky kontribut është vetëm fillimi i një bashkëpunimi që do të zhvillohet në vitet e ardhshme.

Mirela Kumbaro, Ministre e Kulturës: Në emër të qeverisë shqiptare, por besoj edhe të të gjithë artdashësve shqiptarë, dua ta falenderoj thellësisht Angjelin Preljocaj që ka cuar Shqipërinë në Europë dhe me këtë spektakël sjell Europën në Shqipëri.

Dhe duke iu rikthyer premierës së datës 9 me bashkëpunimin e Ministrisë së Kulturës, TKOB dhe Delegacionit të Bashkimit Europian në Shqipëri ajo vjen për publikun shqiptar në kuadër të Ditës së Europës.

Top Channel