Xhevdeti dhe Gresilda janë të fejuar. Kanë 3 vjet të fejuar. Kanë qenë shokë në fakultet. Pas fejesës, meqë janë besimtarë, kanë bërë një dasmë të vogël në xhami.

Në Shkurt të këtij viti, Deti, ndryshe nga shumë meshkuj të tjerë, të cilët e marrin të mirëqenë që pas fejesës do të bëhet dasma, do të martohen, i ka bërë një propzim shumë romantik. Ai nuk është tipi që bën shumë shpesh surpriza, por kur i bën e merr shumë seriozisht. I ka bërë surprizë edhe kur ajo mbushi 25 vjeç.

Deti: Kam 7 vite që e njoh vajzën tuaj dhe mund të them se kanë qenë
vitet më të mrekullueshme të jetës sime. Këto vite kam kuptuar se nuk ka
rëndësi koha, sepse dashuria për vajzën tuaj ka qenë përtej kufijve
kohorë. Ndaj dhe jam këtu me ju, sot, sepse kam vendosur që të ndaj më
shumë se 7, 10 apo 20 vite me të. Kam vendosur të ndaj çdo ditë të jetës
sime. Dua t’iu kërkoj dorën e vajzës dhe dua lejen tuaj, që t’i kërkoj
asaj të martohet me mua.

Babai i Greisit: Mirë mor djalë, unë të dëgjova me kujdes, që juve keni kohë që njiheni me vajzën time. Unë di që kam edukuar një vajzë të mirë, që ta njohë mirë jetën e saj, ndaj dhe jam plotësisht dakord, që ju ta kaloni jetën bashkë. Mirëseerdhët në familjen tonë.

Deti: A pranon të martohesh me mua?

Greisi: Po!

Çifti do të martohet në 30 Gusht. Kanë shtëpinë e tyre të re dhe
aktualisht po bëhen gati edhe për dasmën, por edhe për shtëpinë.

Në shtëpinë e çiftit të ardhshëm
Shtëpia e çiftit Spahiu, në pritje të dasmës

Martesa, përveçse ndryshon statusin, ndryshon stilin e jetesës së secilit prej nesh. Deti dhe Greisi, prej 2 muajsh e kanë marrë shumë seriozisht jetën e tyre të re. Greisi nuk sheh më asgjë për veten e saj, veshje apo aksesorë, siç bënte dikur. Pasditeve, të dy së bashku i gjen nëpër dyqane për mobilimin e shtëpisë.

“Që kur kam vendosur për t’u martuar, dëshira ime më e madhe, madje dhe faqet e ndryshme që klikoj në internet janë si arredohet një shtëpi, ngjyrat më të preferuara për dhomat e gjumit, kuzhinën, e të tilla si këto. Jam shumë e lumtur, nuk e kisha menduar se do të vinte kaq shpejt koha, që edhe unë të bëhesha një zonjë shtëpie. Shpresoj ta nis mbarë”, shprehet Greisi.

Kamera e emisionit të Pasdites është ndër vizitorët e parë, që çifti i ardhshëm mirëpriti në shtëpinë e tyre të re!

“Kjo është shtëpia jonë e re. Në fakt kemi menduar shumë për këtë shtëpi, është streha jonë ku kemi thurrur shumë ëndrra. Siç e shihni, e kemi menduar gjatë se si do të jetë dhe duam ta mobilojmë përpara dasmës”, thotë Greisi.

Secili është përqendruar të mobilojë këndin që ka më për zemër, deri në detajet më të imta. U kanë mbetur edhe 4 muaj për ta bërë këtë.

“Pjesa për të cilën unë jam kujdesur është kjo këtu, pasi mendoj se pasi të kthehem, këtu do të kaloj kohën më të madhe, ndërsa kam porositur edhe këndin, që ka vetëm një kusht: të jetë i rehatshëm, sepse aty do të qëndroj kur të kthehem në shtëpi”, shprehet Deti.

“Ndërsa ne femrat nuk do të kemi shumë kohë të rrimë ulur në divan e të shohim shpesh telenovela apo sport, sepse nuk na pëlqejnë. Këndi im i preferuar është kuzhina. Nuk di shumë të gatuaj, por do mësoj të përgatis receta të shijshme për Detin. Kam menduar edhe për aksesorët e kuzhinës, pasi më pëlqejnë gjërat që duken bukur në kuzhinë”, thekson Greisi.

Ka ende shumë punë përpara dhe të rinjtë po e shijojnë këtë moment plot emocione të bukura të jetës së tyre.

“Pasi të vijmë të jetojmë në këtë shtëpi, si burrë e grua, të premtoj se do të të bëj çdo ditë shumë të lumtur!”, premton Greisi.

Top Channel