Si po qeveriset ekonomia

07/05/2014 00:00

I pranishëm në “Revistën Televizive të Mbrëmjes” ka qenë deputeti i Partisë Demokratike, Sherefedin Shehu, i cili ka folur mbi ecurinë e përgjithshme të ekonomisë gjatë muajve të fundit, por edhe për sektorë të veçantë të saj.

Zoti Shehu ka folur edhe për reformën në sistemin e pensioneve si edhe për procesin e legalizimeve.

Deputeti i Partisë Demokratike ka pranuar se ekonomia ka shënuar një rritje krahasuar me një vit më parë, por përsëri ajo nuk është premtuese.  

Për së i përket punësimit zoti Shehu është shprehur se panairi i punës dhe zyrat e punës janë element shumë të vjetër dhe duhen ndërmarrë politika të reja për krijimin e vendeve të reja të punës.

Pandi Gjata: Si po e vlerësoni ju ecurinë ekonomikë të këtyre muajve të fundit në sektorët më të rëndësishëm?

Sherefedin Shehu: Ne kemi disa tregues që e bazojmë vlerësimin tonë, ne i referohemi treguesve fiskalë, të cilët tregojnë një farë përmirësimi, por kjo lë vend për diskutim, nëse kjo performacë është si rrjedhojë e rritjes ekonomike apo e performacës së administrimit. Konkluzionet tona janë që ka një rritje krahasuar me vitin e kaluar, por ka shumë probleme për sa i përket performancës së administratës. Treguesit fiskalë tregojnë një mosrealizim të buxhetit, ndonëse kanë një rritje krahasuar me vitin e kaluar. Kjo rritje e krahasuar me vitin e kaluar jep disa indikatorë, të cilët nëse do të vazhdojnë do të sjellin një situatë të keqe ekonomike. Ndonëse kemi patur një rritje të akcizës krahasuar me vitin e kaluar kemi një mosrealizim të ndjeshëm kundrejt planit. Dy treguesit e tjerë, tatimi mbi të ardhurat personale dhe kontributi i sigurimeve shoqërore flasin qartë për ekonominë reale dhe kjo na bënë ne të jemi pesimist, pavarësisht ambientit të krijuar.

Pandi Gjata: Ditë më parë, ju së bashku me kreun e PD dhe ekspertë të tjerë të partisë suaj patët një takim me përfaqësuesit e FMN dhe Bankës Botërore . Cilat ishin shqetësimet e ngritura nga ju?

Sherefedin Shehu: Ne u fokusuam në aspektet që kanë të bëjnë me qeverisjen e vendit. Qeverisja konsiderohet e dobët pasi kemi një demagogji të shfrenuar sepse flitet për rritje të numri të të punësuarve, por kemi 6% më pak të kontributeve shoqërore. E njëjta gjë është edhe mbi tatimin mbi të ardhurat personale, i cili aplikohet mbi pagat edhe këtu ndonëse pritej një ulje, por nuk mund të justifikohet ulja që ka me buxhetin. Qeveria në vend që të fokusojë punën e saj në uljen e informalitetit i ka dhënë prioritet rritjes së taksave.

Pandi Gjata: Ju përmendët punësimin është thembra e Akilit apo edhe një prej kartave më të forta të kësaj qeverie që ka premtuar 300 mijë vende pune. Ju si e shikoni politikën e kësaj qeverie dhe si duhet të jetë ajo?  

Sherefedin Shehu: Çdo qeveri punësimin e ka sfidë. Ekonomisë tonë i ka munguar stimuli fiskal, kemi një rënie të ndjeshme të investimeve, ndonëse është premtuar shlyerja e borxheve qeveria ka shlyer shumë pak deri tani, kjo do të krijonte një ambient më optimist. Sot bizneset dhe ekonomia ndjejnë mungesën e parave në qarkullim. Ne e konsiderojmë periudhë të vështirë ekonomike dhe nuk do të rekomandohej rritja e barrës ndaj biznesit përmes rritjes së taksave, duhej një ulje taksash dhe hedhja e parave në qarkullim. Paratë po rrinë në banka dhe nuk po vihen në qarkullim, kemi një potencial të pashfrytëzuar. Ne e shikojmë si mundësi punësimi rritjen e investimeve publike në këtë fazë dhe gjetja e mekanizmave për të mbështetur drejtpërdrejtë biznesin. Panairi i punës dhe zyrat e punës janë element shumë të vjetër nga pikëpamja e politikave aktive.

Pandi Gjata: Një raport i fundit i Bankës Botërore, kur i referohej taksës së sheshtë, fliste për ndikim në pabarazi në thellimin e varfërisë, ndërsa një sondazh i ditëve të fundit i bërë me biznesin gjerman fliste për rritje të taksës së biznesit, i cili pengon kapitalin. Ju shikoni një paradoks në këto 2 raporte?

Sherefedin Shehu: Duhet parë objektivi që ka secili raport. Besoj që Banka Botërore e ka parë në shpërndarjen dhe rishpërndarjen e të ardhurave, ndërsa biznesi gjerman e ka parë në impaktin që jep në biznes. Ne kemi për investitorë pasi nuk kemi kapitale të fuqishme për të pasur vetëzhvillim. Për të tërhequr investitorët duhet të krijohen hapësira, për shembull siç ishin koncesionet, të cilat kjo qeveri i ka goditur, pjesa fiskale ka ndikim në investimet e huaja. Taksa e sheshtë është e rekomanduar për vendet në zhvillim dhe duhet të shohim raportin e Bankës Botërore në kontekstin ndërkombëtarë. Nëse kjo taksë do të zbatohej në Gjermani nuk do të kishte kuptim. Në një vend të zhvilluar mund të zbatohet taksa progresive.

Pandi Gjata: Qeveria do të reformojë edhe sistemin e pensioneve. A është kjo skemë e duhura?

Sherefedin Shehu: Edhe ne kemi dashur të bëjmë një reformë pensionesh, por jo në këtë skemë. Fatkeqësisht dua të them se edhe në këtë reformë qeveria ka përdorur më shumë demagogjinë se sa reformimin real dhe krijimin e një skeme që i shërben atyre që do të dalin në pension.

Pandi Gjata: Cilat janë pikat që ju i kontestoni?

Sherefedin Shehu: Ne kontestojmë rritjen automatike të moshës të palidhur me jetëgjatësinë. Qeveria prek thelbin e skemës, i cili është parimi i solidaritetit, ata që kontribuojnë më pak, për shkak të pagave të tyre jo për shkak të mungesës së dëshirës, do të marrin një pension më të ulët. Në këtë skemë 70% e të punësuarve janë të pambrojtur. Goditje më të madhe do të marrë fshati, të cilit do t’i barazohet kontributi me qytetin, kur mundësia ekonomike është shumë larg qytetit. Gjithashtu do të hiqet njohja e punës në kooperativat bujqësore. Objektivi i reformës është ulja e deficitit. Barrën për të ulur deficitin qeveria e hedh mbi atë që kontribuon më pakë.

Pandi Gjata: Një tjetër proces i nisur është ai i legalizimeve, të cili ju po e kundërshtoni dhe debati po bëhet në atë që ju e quani premtim falas dhe ju thoni se nuk po bëhen falas, apo jo?  

Sherefedin Shehu: Ky ishte premtimi kryesor që kjo qeveri ka ardhur në pushtet. Me amendamentet e propozuara kjo qeveri ka shkuar përtej kësaj, jo vetëm që nuk ka garantuar legalizimin falas, por ka prishur edhe disa garanci, të cilat nga pikëpamja ligjore quhen të fituara. Aktualisht njerëzit janë të mbrojtur sepse çmimi është i diferencuar në bazë të sipërfaqes, pra qytetarët jo vetëm që nuk do të kenë liberalizim falas, por do të paguajnë më shumë. Qeveria ka hequr përdorimin e letrave me vlerë , duke përcaktuar një normë 30%, përsëri qytetarët do të paguajnë më shumë. Një tjetër problem me ish pronarët e tokës, ata do të marrin 30%  më pak, duke u ulur 30% fondi i kompensimit. Legalizimet godasin atë pjesë të qytetarëve që kanë shtëpi të vogla, sepse është hequr limiti 500 metra katror dhe  e kanë lidhur me sipërfaqen e ndërtimit. Nëse dikush ka ndërtuar një shtëpi 50 metra katrorë atij i legalizohet 150 metra. Me këto amendamente qeveria jo vetëm që nuk realizon atë që kishte premtuar, por legalizimet do të kushtojnë më shtrenjtë.

Top Channel