5 Maji në emisionin “Fiks Fare” u trajtua në një këndvështrim tjetër. Varrezat e Dëshmorëve të Kombit janë lënë në gjendje të rëndë, ndërsa emrat e dëshmorëve ndryshojnë sipas politikës.
Për t’u shmangur kësaj, emisioni investigativ provokoi disa ide të historianëve.
Paskal Milo është shprehur se këto varreza kanë një specifik dhe duhet ta ruajnë atë dhe jo të futen aty njerëz që prishin imazhin e tyre.
“Si shumë gjëra të tjera në Shqipëri pas viteve ’90 edhe për Varrezat e Dëshmorëve ka pasur shumë spekulime. Ato varreza u ndërtuan me një qëllim të caktuar dhe për një mesazh të caktuar që i jepet të gjithë shqiptarëve. Dhe janë varreza specifike vetëm e të rënëve në Luftën e Dytë Botërore”, tha Paskal Milo.
Ndërkohë që edhe historiania Nevila Nika u shpreh se dëshmorët e kombit meritonin që të varroseshin në një vend më të veçuar, në nderim të asaj që ata bënë për vendin.
“Ngritja e Varrezat e Dëshmorëve të Kombit ishte një vendim që u prit mirë dhe i drejt edhe pse në fund të fundit ata që dhanë jetën për lirinë e vendit meritonin të preheshin në një vend paksa të veçuar nga të tjerët. Më vonë pësuan një devijim, pasi në atë varrezë u çuan edhe individë që kishin kontribute të tjera. Mendoj që tani ka ardhur koha që ne të kemi edhe një panteon”, tha Nevila Nika.
Top Channel