Meshë për Amik Kasoruhon

06/05/2014 00:00

Familjarë, të afërm dhe politikanë i dhanë lamtumirën e fundit përkthyesit dhe shkrimtarit të njohur, Amik Kasoruho.

Mesha u mbajt në kishën katolike “Shën Luçia”, të qytetit të Durrësit, nga Dom Gjergj Meta.

Pas homazheve, kortezhi mortor u drejtua në varrezat e vjetra të qytetit të Durrësit, qytet ku Kasoruho kaloi vite të rëndësishme të jetës së tij, para emigrimit në Itali.

Ai u nda nga jeta në moshën 82-vjeçare, më 5 Maj, si pasojë e një sëmundjeje në mushkëri, ndërsa është nderuar si intelektuali që përjetoi dhe kaloi nëpër një kalvar të rëndë, gjatë diktaturës komuniste.

“Amik Kasoruho qendroi si një vigan i pamposhtur ndaj kalvarit komunist. Diktatura i ekzekutoi pa gjyq të atin e më vonë edhe të ëmën. Njohu terrorin më të egër, por qendroi me besimin e palëkundur në vlerat më të larta të njeriut”, u shpreh ish-kryeministri Berisha.

Amik Kasoruho lindi në Tiranë, në vitin 1932, dhe është autor i librave “Një ankth gjysmëshekullor”, “Çmimi i një ëndrre”, “Midis qiellit dhe burgut” dhe romanit autobiografik “Ikje nga trilli i perëndive”.

Ai solli mjeshtërisht në shqip shumë vepra të letërsisë së huaj, si ato të Isabel Alendes, Pirandelos, Harold Robinsit, Xhon Selbit etj.

Top Channel