Binjaket e ndara prej dekadash, bashkohen

06/05/2014 00:00

Prillin e shkuar, Elizabeta, një 78-vjeçare nga Albani, në shtetin e
Oregonit, SHBA, po shfletonte postën kur pa një letër nga Aldershot në
Britani, qyteti ku ajo kishte lindur. “E hapa menjëherë dhe kur pashë
se çfarë kishte brenda sytë m’u zmadhuan”, thotë Elizabeta.

“Po të shkruaj meqë po kërkoj për lidhjet e familjes”, fillonte letra. Pas pak minutash, Elizabeta ishte në telefon me Britaninë. Në anën tjetër të linjës ishte Ana, binjakja e saj e humbur për vite. “Isha shumë e lumtur, sa nuk mund të flisja”, tregon Ana.

“E lashë Elizabetën të fliste më shumë, më duhej të pickoja veten që të kuptoja se kisha një motër. Është kaq e mrekullueshme, nuk jam më e vetme tani që kam Elizabetën”, vazhdon Ana. Ndryshe nga kjo e fundit, Elizabeta e dinte që kishte një motër.

Ajo kishte vite që lutej dhe kërkonte për të. Por nuk ia kishte dalë të gjente gjurmët e saj. Dukej një detyrë e pamundur. Motra mendonte se të qenët e birësuar mund ta kishte çuar atë kudo nëpër botë.

Në një maj të këtij viti, pas 12 muajsh nga biseda e parë dhe prej më se 78 vjetësh të ndara, Ana dhe Elizabeta u bashkuan në një vend pranë Los Anxhelosit.

Ato u ftuan në qytet nga Dr. Nenci Segal, një psikologe që merret me studimin e binjakëve për më se dy dekada. Binjakët e rritur veçmas paraqesin shumë interes për studiuesit, të cilët duan të ekzaminojnë ndikimet gjenetike dhe mjedisore në sjelljen e tyre.

Segal analizoi binjaket për të parë ngjashmëritë dhe diferencat e tyre, gjatë një studimi dyditor, ku bëri edhe analiza ADN-je për të përcaktuar nëse ishin binjake identike apo jo.

“Çfarë i shkaktoi ndryshimet e tyre? Nëse janë identike, mund të ketë qenë si karakteri, ashtu edhe rrethanat”, u shpreh Segal. Duam të mësojmë një përmbledhje të jetëve të tyre, aftësive, interesave dhe t’i bashkojmë këto në një studim të veçantë. Ato janë binjaket e ndara për më shumë kohë në botë.

Binjaket u lindën më 28 shkurt të vitit 1936 në Aldershot, Britani. Nëna e tyre e pamartuar, Alice Alexandra Patience Lamb, shërbente si kuzhiniere në një familje. Babai i vajzave quhej Peters dhe ishte ushtarak, por ai kurrë nuk i pa ato. Ana u rrit në Aldershot si fëmijë i vetëm i Hektor Uillson dhe gruas së tij, Gledis. Kur ishte 14 vjeçe, ajo zbuloi se ishte e adoptuar. Kur u kthye në shtëpi, vajza e pyeti të ëmën birësuese “Jemi ‘ne’ të birësuara?”. Përdorimi i fjalës ‘ne’ ishte shumë i çuditshëm. Nëna birësuese nuk e dinte që Ana kishte një motër binjake, ndryshe do ia kishte thënë.

Kur Gledis vdiq, në vitin 2001, Ana shkoi në zyrën e regjistrit familjar për të marrë një kopje të certifikatës së saj të lindjes. Aty shkruhej emri i vërtetë i nënës së saj, profesioni, adresa, por jo mosha. Po ashtu, nuk përmendej ekzistenca e ndonjë fëmije tjetër.

Vajza e Anës, Samanta filloi kërkimet e rrënjëve të familjes së saj, nën një proces të lodhshëm dhe të gjatë. Për shkak se mosha e gjyshes së saj ishte e panjohur, ajo mendoi se duhej t’i kishte lindur binjaket shumë herët. Por Alice ishte bërë nënë në moshën 33-vjeçare.

Samanta nxori njoftime në gazetë dhe në forume të ndryshme në internet. Në vitin 2013, ato mësuan se Alice ishte martuar me Xhorxh Burton, në Çester dhe kishte një djalë nga burri, i quajtur Albert. Ndonëse Alberti kishte vdekur, ato zbuluan nga i biri se Alice kishte një vajzë në SHBA. Në këtë mënyrë ato gjetën Elizabetën.

Ana kujton kur mori vesh se ia kishin gjetur të motrën, e për më tepër, kur zbuloi se e kishte binjake. Ndonëse Ana ishte e vetmja nga të dyja vajzat që ishte dhënë për adoptim, ajo ishte tepër e gëzuar që kishte lokalizuar motrën e saj. Nga ana tjetër, Elizabeta i shkroi menjëherë një letër ku i tregonte arsyen përse ajo nuk ishte dhënë për adoptim.

Ajo vuante nga një dëmtim shpine, që në atë kohë e bënte atë të pabirësueshme. Binjaket zbuluan se kishin shumë të përbashkëta, si për shembull që ishin vejusha, gjyshe dhe të dyja luteshin. Për më tepër, të dyja janë bërë të pandashme dhe janë të lumtura që pas kaq vitesh ndarjeje, arritën ta gjenin përsëri njëra-tjetrën.

Top Channel