Thesari marramendës amerikan

05/05/2014 00:00

Mijëra lingota, bizhuteri dhe monedha ari që flenë prej dekadash në fundin e Oqeanit Atlantik të fshehura në 2200 metra thellësi në brigjet e Karolinës së Jugut në Shtetet e Bashkuara.

Bëhet fjalë për thesarin e S.S Central America e fundosur 160 vite më parë, njëra prej historive tragjike të fundosjeve të anijeve më me bujë dhe frymëzim mitesh e legjendash nga më të ndryshmet.

Anija ‘e artë’ u godit nga një uragan u fuqishëm më 12 shtator të 1857-ës duke shkaktuar edhe vdekjen e 477 personave që ndodheshin në bord. Një tragjedi që përpos humbjeve njerëzore, pati jo pak pasoja në ekonominë amerikane.

Humbja e një sasie kaq të madhe ari nga Thesari i Shtetit kontribuoi në nisjen e asaj që më vonë u quajt “Paniku i 1857”.

Qindra ekspedita, dhjetra kapitenë anijesh dhe kompani kërkimore u angazhuan ndër vite për të rigjetur thesarin. Lokalizimi i tij do të bëhej vetëm në vitet 1980 nga Thomas Thompson. Prej asaj kohe thesari fle ende në fund të Oqeanit, ndërsa mbi të, debate të forta, edhe juridike plasën. Në vitin 2012 zbuluesi i tij, Thompson u dënua me burg për mashtrim.

Ky vendim i dha fund betejës ligjore se kush do të vinte duart i pari në këtë pasuri marramendëse dhe po në 2012, “Odyssey Marine Exploration” nisi misionin për nxjerrjen e thesarit. Në prill të këtij viti, falë teknologjisë së avancuar, kompania ka mundur të nxjerrë në sipërfaqe dhjetra lingota, monedha dhe sende të tjera me vlerë, fotot e disa prej të cilave i ka postuar në faqen e saj në internet.

FOTO GALERI
2/7

Top Channel