Dosja 5D, të akuzuar për shkelje barazie në tendera, shtyhet seanca për ish drejtorët e Bashkisë Tiranë Përvec kohës asgjë tjetër nuk ndryshon në Labëri. Një rrugë e masakruar që dredhon përmes një lugine ku fshatrat pasojnë njeri-tjetrin, e mes tyre makina që më shumë se sa ecin duket sikur tërhiqen zvarrë.
“Unë kam baxho për veten time. Kam një baxho këtu në Ramicë dhe një në Llakatund. Rrugët janë copë-copë. Të vjen turp të investosh, të vjen keq të marrësh makinën e ta ngarkosh me djath apo ta ngarkosh me voza apo…”, thotë Veliko Veshaj, banor i zonës.
Këto nuk janë zona të braktisura apo ku jetojnë pak banorë që të mund të merren si justifikim për të mos investuar në rastin e Labërisë edhe ky argument nuk ekziston sepse numri i tyre është disa mijëra e fshatrat janë të shumtë. Kilometrat shkojnë në të kundërt të kohës, sepse janë një grusht, por që mund të përshkohet vetëm për orë pafund. Kota, dikund kthesa drejt Velçës e fshatrave rreth saj, përtej në krah shumë zona të tjera të banuara zënë njëra-tjetrën e më pas Gjormi.
“Na premtojnë dhe asgjë s’po bëhet”, thotë Elton Kaja.
“Sic e sheh gropa-gropa. Më përpara e frenon makinën se i jep gaz”, shton Çelo Ajazi.
Makina shkundet sic shkunden me të edhe jetët e banorëve që jetojnë në këto zona përmes vështirësive të panumërta në Lepenicë, Brataj, Tërbaç, Mesaplik, Bolenë e Vranisht.
“Me siklet se njeriu do mundohet të rrojë, por është e paarritshme me mundim të madh”, shprehet Nikolin Kapo.
Udhëtimi në këtë rrugë të masakruar përmes fshatrave të Labërisë nuk ka përfunduar përkundrazi ai vijon edhe më i vështirë më tej në drejtim të dy fshatrave të tjerë Kallaratit dhe Kuçit, të cilët prej disa kohësh janë kthyer thuajse në ishuj të izoluar për shkak të dëmtimeve të shumta që ka pësuar ky aks dhe rrëshqitjeve të vazhdueshme të tokës.
Janë mëse 200 metra rrugë të cilat kanë shkuar bashkë me tokën e shkëputur në krahë. Lumi Shushicë ka rrëmbyer dhe vazhdon të rrëmbejë pjesë të saj duke bërë kalimin jo thjesht të vështirë, por edhe të rrezikshëm për jetët e banorëve.
“Tek pjesa e rënë makinat mezi kalojnë. Të voglat njëherë jo. Keq, shumë keq!”, thotë Avni Varfi, kryeplak i fshatit Vranisht.
“Urgjentisht të vënë dorë se këtu po vjen gjithë ky masiv dhe mund të rrezikojë të vejë në lumë, të mbyten njerëzit”, shton Viktor Seraj elektriçist i zonës.
Pas rrugës fshihet diku më tej Kallarati që duket i heshtur, me shkollën e shkretuar e njerëzit e paktë që vijnë mes tyre. Rerth 51 kilometra nga Vlora që përshkohen në rreth tre orë.
“Njerëzit po largohen ditë për ditë për arsye të rrugës, për cështje ekonomike i bie më shumë se rruga i bie të gjitha këto. Merren me bagëti e bujqësi, po këtu s’ka asnjë gjë. Mbaruan të gjitha”, thotë Ilir Memushi banor i Kallaratit.
“Cdo makinë e vogël atje nuk kalon. E lë në Vranisht, do vijë në Kuç. Kanë ndodhur vakira, kanë ikur e kanë ardhur në Kuç me makina të tjera. Kjo është dicka që duhet marrë një masë urgjente për të rregulluar këtë rrugë”, shprehet Etem Ribaj, po nga Kallarati.
Ka nga ata që shpresën e kanë humbur ndoshta prej premtimeve të shumta e veprave të pakta.
“Këtu keq ka qenë në të kaluarën, keq vazhdon. Mendoj se kështu do të vazhdojë”, shprehet Zeqo Hoxhaj.
“Fshati ka edhe shume mundësi nëse investohet pak. Fshati prodhon shumë, pra mund te mbulojë shumë, shumë në prodhimin e përgjithshëm kombëtar, por nuk po ndihmohet”, deklaron Lefter Qeivanaj nga Kallarati.
12 kilometrat drejt Kuçit janë 40 apo 50 minuta të tjera rrugëtim.
Këto zona njihen për prodhimtarinë e tyre sidomos në blegtori, ashtu sic duhet të njihen edhe për pamundësinë e tyre për të kapur tregun si pasojë e infrastrukturës.
“Prodho cfarë të duash, prodhon kot, punon kot! Ja kjo është. Ne kemi ngelur tani as për një të sëmurë s’e cojme dot në Vlorë ta shpëtojmë, pale më për tregti e punë të tjera”, rrëfen Qazim Balili, banor i Kuçit.
“Pyetjen e parë ja bëj vetes më lind e drejta të jetoj apo mos jetoj këtu nuk kërkoj asgjë nga shteti kërkoj vetëm rrugën të nxjerr prodhimin tim në treg”, thotë Veip Lala, Kuç.
“Këtu vetëm për makina ushtarake ose me zinxhirë mund të punohet. Me traktorë me zinxhirë, nuk ka më rrugë këtej”, shton Aranit Toci, banor i Kuçit.
Kuçi, një zonë me resurse të pafundme turistike sot duket si fundi i botës, nga njëri krah rruga e izoluar që e lidh me Vlorën, nga tjetri ajo e tmerrshme që duhet ta lidhë me Kurveleshin e Sipërm e po ashtu ajo që të çon drejt Bregdetit.
“Po dhe kafshët thyejnë këmbët, jo vetëm njerëzit! Por edhe kafshët thyejnë këmbët!”, thotë Imzi Xhaferraj, banor i Kuçit.
Të rinjte më së shumti duan të largohen e kjo sepse fshati i tyre që ka aq shumë histori në të shkuarën duket sikur është harruar nga historia që duhet shkruar për të ardhmen.
“Nuk ka se me se të merret këtu. Janë kërkesat minimale që cdo pushtet duhet që t’i kishte plotësuar », thotë Xhezo Sinavarfi.
Mes Kuçit dhe Çorrajt, a përfundon udhëtimi këtu? Sigurisht që jo. Ka ende pak kilometra, por shumë rrugë për t’u bërë deri në krahun tjetër, në Bregdet.
Mundësitë për të dalë në det janë disa, rruga përmes Fterrajt, kjo drejt Çorrajt e hapur nga banorët, ajo që shkon përmes Pilurit e Qeparoit edhe ato të hapura nga banorët, gjithkund gjendja është skandaloze kur deti është afër rreth 12 kilometra dhe larg mëse 1 orë e gjysëm të përshkuara vetëm me makinë të lartë.
1 ditë udhëtim për rreth 86 kilometra rrugë. Errësira rrëmben detin e bashkë me të edhe rreth 50 mijë banorët e kësaj krahine që vazhdojne të presin me shpresën se premtimet do të bëhen dikur realitet.
Top Channel