Virusi i derrit shqetëson Europën

04/05/2014 00:00

Franca pritet të pezullojë importet e produkteve të derrit nga disa shtete, pas shqetësimeve gjithnjë e në rritje për përhapjen e një virusi vdekjeprurës të derrave.

Virusi i Diarresë Epidemike të Derrit (PEDv) ka shkaktuar vdekjen e rreth 7 milionë gicave në Shtetet e Bashkuara gjatë vitit të kaluar. Sëmundja është pikasur gjithashtu në Kanada, Meksikë dhe Japoni.

Edhe pse virusi nuk është i dëmshëm ndaj njerëzve apo ushqimit, Franca është e shqetësuar mbi impaktin potencial ekonomik dhe pritet të pezullojë importet e derrave të gjallë.

PEDv përhapet nëpërmjet fekaleve të derrave dhe sulmon kryesisht zorrët e kësaj kafshe, duke i penguar ato të absorbojnë lëngjet dhe lëndët ushqyese.

Kafshët më të vjetra mund të mbijetojnë, ndërkohë që norma e fataliteteve mes gicave është shumë e lartë, nga 80% deri në 100%. Aq i fortë është ky agjent, sa që një ekspert llogarit se vetëm një lugë e plehut organik do të ishte i mjaftueshëm për të sëmurur të gjithë tufën në SHBA.

Sëmundja besohet se e ka origjinën nga Kina, sipas Organizatës Botërore për Shëndetin e Kafshëve (OIE).

Top Channel