Reformimi i arsimit të lartë

04/05/2014 00:00

Komisioni për reformën në arsimin e lartë ka përgatitur draftin e parë me ndryshime themelore, i cili para se të arrijë në fazën e tij finale do të  konsultohet më parë me grupet e interesit.

Zëvendësrektori i Universitetit të Tiranës, Ervin Demo, i cili është pjesë e këtij komisioni, tha se këtë javë do të nisin konsultimet me përfaqësuesit e universiteteve publike: “Javën tjetër fillon në mënyrë zyrtare marrja e mendimit në nivel departamenti, në nivel këshilli fakulteti dhe vetë senati i Universitetit të Tiranës do të japë mendimin e vet. Të gjitha mendimet do t’i vihen para komisionit dhe do të shqyrtohen të gjitha opinionet.”

Komisioni po punon për ndryshimin e ligjit të arsimit të lartë, i cili pritet të kalojë në korrik në komision. Financimi i universiteteve publike dhe rritja e cilësisë së tyre është një pikë shumë e rëndësishme, çka do të kërkojë rritje të tarifave, por edhe shtim të financimit nga buxheti i shtetit: “Që të rrisim standartet e cilësisë, duhet patjetër që universitet publike të mbështeten.”

Profesorët që po merren me reformën në arsimin e lartë kanë vendosur një mesatare për hyrjen e nxënësve në universitete. Por, për çdo të ri që nuk e arrin këtë prag apo kërkon të profilizohet në arsimin profesional, për të cilin tregu i punës ka mjaft interes, do të aplikohen diplomat profesionale 2-vjeçare: “Një nxënës i shkollës së mesme, nëse dëshiron të vazhdojë arsimin e lartë, duhet të ketë një standart minimal akademik. Do të ketë diploma post-sekondare, të cilat janë 2-vjeçare universitare profesionale.”

Reforma për arsimin e lartë synon rritjen e cilësisë së uinversiteteve publike, çka do të thotë që mësimdhënia, kurrikulat, por edhe kërkimi shkencor duhet të jenë në nivele shumë më të larta.

Top Channel