“Legalizimet kthejnë betonin në para”

04/05/2014 00:00

Procesi i nisur për legalizimet falas merr një rëndësi të veçantë jo vetëm për qytetarët, por në mënyrë të veçantë për ekonominë e vendit. Ky ishte mesazhi i përcjellë nga kryeministri Edi Rama gjatë shpërndarjes së 100 titujve të pronësisë në qytetin e Fierit.

“Ky është një proces i cili na jep mundësinë që t’i japim një shtytje shumë të fortë ekonomisë së familjeve që sot jetojnë në shtëpi të palegalizuara, por nëpërmjet tyre t’i japim një shtytje shumë të fortë edhe ekonomisë kombëtare. Që gjithë këto kapitale të derdhura për t’u bërë shtëpi, nga kapitale të vdekura që janë sot, të kthehen në kapitale të qarkullueshme përmes titullit të pronësisë. Nga ky qarkullim i ri kapitali fiton ekonomia kombëtare”, tha Rama.
 
Kryeministri theksoi se ashtu si në shumë qytete të tjera është abuzuar me legalizimet edhe në Fier: “Edhe në Fier, si në të gjithë zonat e tjera, nuk e kanë pasur mendjen të legalizojnë shtëpitë e njerëzve me halle, por kanë legalizuar vetëm ato ndërtime që janë bërë për të fituar lekë: dyqane e magazina. Këtu në Fier kanë legalizuar një sërë godinash që bllokojnë projektin e lumit të Gjanicës”.

Artan Lame, drejtor i ALUIZNI-t, tha se mbi 50% e legalizimeve të bëra në Fier në vitin e fundit janë objekte shërbimi, në një kohë kur në totalin e tyre objektet e shërbimit përbëjnë më pak se 10% të objekteve të vetëdeklaruara.

Një banor thotë: “Kam që nga 2005 që kam aplikuar dhe kam 2 vjet që kam ngelur të dera e ALUIZNI-t dhe mua nuk më është dhënë certifikata.”

“Ia arritëm që sot, mbas gati 20 vjetësh që banojmë në ato shtëpi, të marrim certifikatën. Që nga viti 2006 është bërë vetëdeklarimi dhe sot arritëm të marrim këtë certifikatë në dorë”, shprehet një banore.

Janë 26 mijë familje që presin të legalizojnë shtëpitë e tyre tha Rama dhe nga këto, gjysma, 13 mijë, janë ndërtime në tokën e tyre. Kjo është një e dhënë shumë e vlefshme dhe shumë e mirë, sepse e bën shumë të lehtë procesin. Praktikisht, ata që kanë ndërtuar në tokën e tyre nuk kanë asnjë lloj detyrimi për të shlyer.

Top Channel